Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila ka thënë se nuk ka asnjë krizë në furnizimin me derivate të naftës në Kosovë.
“Bazuar në të dhënat nga subjektet që merren me importin dhe tregtimin e derivateve, stoqet janë në nivel të rregullt dhe në suazat e zakonshme, njësoj si para zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme. Furnizimi në treg është stabil dhe pa ndërprerje. Për këtë arsye, nuk ka asnjë arsye për panik apo për krijim të rezervave të panevojshme”, ka shkruar ajo në facebook.
Kusari – Lila poashtu ka thënë se nuk ka bazë për rritjen e çmimeve të naftit në Kosovë.
“Duke marrë parasysh stabilizimin e çmimeve të derivateve në bursat ndërkombëtare, aktualisht nuk ka bazë për rritje të çmimeve në tregun vendor”, ka shtuar ajo.

