Presidentja Vjosa Osmani ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me kërkesat e parashtruara me të cilat kontestohet kushtetutshmëria e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit. Përmes këtyre komenteve, Osmani vlerëson se dekreti i saj është në përputhje me Kushtetutën.
Me datë 9 mars 2026, kryeministri Albin Kurti kishte dorëzuar kërkesë në Kushtetuese, me të cilën ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes lidhur me shpërndarjen e Kuvendit. Një ditë më pas, një kërkesë tjetër me të njëjtën arsye, u dorëzua nga Arbërie Nagavci dhe 30 deputetë të tjerë. Gjykata ka bërë bashkimin e dy kërkesave.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar komentet e presidentes, ku thuhet se Kuvendi dështojë ta zgjedh Presidentin e ri brenda afatit kushtetues. Anëtarët e partisë në pushtet në krye me Kryeministrin Kurti, sipas Presidentes vazhdimisht kanë përsëritur se 5 marsi është afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit, andaj sipas saj, ndryshimi i qëndrimeve të tyre, duhet parë si përpjekje për të zvarritur shpërndarjen e Kuvendit. Thekson se Legjislatura e X-të kishte në dispozicion 23 ditë pas konstituimit të Kuvendit për të zhvilluar procedurën e zgjedhjes së Presidentit, por shfrytëzuan vetëm rreth një orë. Kështu që, Presidentja kundërshton kërkesën e parashtruesve që t’iu jepen 60 ditë afat.
E gjithë kjo situatë me procesin e zgjedhjes së Presidentit, Osmani ka vlerësuar se është pasojë e mungesës së vullnetit politik për të arritur një marrëveshje në Kuvend. Andaj, pret që Kushtetuesja të konfirmojë se respektimi i afatit përfundimtar dhe imperativ të përcaktuar në nenin 86 (2) të Kushtetutës, është detyrim kushtetues dhe i domosdoshëm.
Sipas dokumentit me komentet e Osmanit, mandati i saj përfundon më 4 prill 202 dhe se sipas nenit 86 (2) të Kushtetutës, Presidenti i ri “duhet të zgjedhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.” Rrjedhimisht, theksohet se afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri ka qenë data 5 mars 2026, gjë që Kuvendi dështoi ta bëjë.
Në dokument thuhet se Gjykata Kushtetuese, në Aktgjykimin në rastin nr. KO 72/20, kishte konfirmuar se: “Kushtetuta parasheh që nëse Kuvendi nuk arrin të kryejë detyrimet e rëndësishme kushtetuese për të formuar Qeverinë dhe për të zgjedhur Presidentin e Republikës, atëherë Kuvendi duhet të shpërndahet me qëllim të krijimit të një Kuvendi të ri që do të mund t’i kryej këto detyra të rëndësishme kushtetuese, pas zgjedhjeve të reja dhe të parakohshme“.
Presidentja në komentet dërguar Kushtetueses pretendon se dekreti është në përputhje me Kushtetutën.
Aty thuhet se afati i fundit i përcaktuar në nenin 86 (2) të Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit të ri ka karakter përfundimtar. Dhe se do të argumentohet se çdo dispozitë tjetër e Kushtetutës që ndërlidhet me zgjedhjen e Presidentit duhet të interpretohet në harmoni dhe në ndërlidhje me këtë afat përfundimtar.
“Do të argumentohet po ashtu se neni 82 (1.3) nuk mund të interpretohet si një afat që duhet domosdoshmërisht të shfrytëzohet deri në fund, por vetëm si një mundësi kushtetuese që mund të përdoret, me kusht që pavarësisht momentit kur fillon procedura ajo duhet të përfundojë medoemos tridhjetë (30) ditë para skadimit të mandatit të Presidentit aktual”, thuhet në komentet e Osmanit.
Presidentja po ashtu pret të argumentohet se nuk kanë ekzistuar rrethana të jashtëzakonshme që do ta bënin të pamundur zgjedhjen e Presidentit brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuta, apo që do të justifikonin mbështetjen ekskluzive në nenin 82 (1.3), duke shkelur kështu afatin imperativ të nenit 86 (2).
Në komentet e Presidentes thuhet se Neni 86 (2) i Kushtetutës përcakton se Presidenti i ri “duhet të zgjedhet jo më
vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual“. E meqenëse Osmanit i përfundon mandati më 4 prill, thuhet se afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka qenë data 5 mars 2026.
“Gjuha normative e nenit 86 (2) është e qartë: shprehjet “duhet” dhe “jo më vonë se” krijojnë detyrim kushtetues”, thuhet në dokument.
Më tej, thuhet se Kushtetuta nuk parasheh dhe as nuk e mundëson ushtrimin e detyrës së Presidentit nga kryetari i Kuvendit, përpos në rrethanat e sakta të përcaktuara në nenin 90 të Kushtetutës, ose rrethana krejtësisht të paparashikueshme- siç mund të jenë dorëheqja ose vdekja e Presidentit.
Sipas Presidentes, interpretimi i parashtruesve të kërkesave relativizon afatin përfundimtar dhe detyrues të nenit 86 (2), duke cenuar kështu vetë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Kushtetuesja, sipas komenteve të Presidentes, në vazhdimësi ka pasur interpretim shumë strikt lidhur me detyrimin për themelimin e shpejtë të institucioneve dhe se njëjtë duhet të veprohet në rastin konkret, sepse “çdo lejim i zgjedhjes së Presidentit të ri jashtë afatit imperativ të nenit 86 (2) do të përbënte madje edhe rishkrim të Kushtetutës”.
Afati kushtetues përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit, sipas këtyre komenteve, duhet të interpretohet në mënyrë strikte dhe konsistente ashtu që të mundësojë parashikueshmëri për veprimet pasuese të institucionit të Presidentit.
Kohëzgjatja maksimale prej 60 ditësh, theksohet se është një mundësi procedurale që i është lënë në dispozicion Kuvendit, por e cila duhet të shfrytëzohet gjithmonë deri në detyrimin e përcaktuar në nenin 86 (2), afat ky i cili në asnjë rrethanë nuk mund të tejkalohet.
“Data 5 mars 2026 si datë e fundit për zgjedhjen e Presidentit të vendit është konfirmuar në mënyrë të përsëritur në deklarime publike, si para ashtu edhe pas nxjerrjes së Dekretit nr. 24/2026, edhe nga ana e vetë parashtruesve të kërkesave, përfshirë Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, anëtarë tjerë të Qeverisë dhe deputetë të shumicës parlamentare, një pjesë e të cilëve janë edhe parashtrues të kërkesës KO74/26. Rrjedhimisht, ky ndryshim në qëndrim duhet të shihet si përpjekje për të zvarritur shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i paevitueshëm dhe përfundimtar, e jo si një paqartësi e dispozitave kushtetuese”, thuhet më tej.
Një nga qëllimet parësore të dispozitës së afatit përfundnimtar për zgjedhjen e presidentit, vlerësohet se është që të sigurojë që vendi të mos mbetet asnjë ditë pa President të zgjedhur.
Sipas saj, parashtruesit e kërkesave e konsiderojnë afatin përfundimtar dhe imperativ të nenit 86 (2) vetëm si mundësi, dhe jo si detyrim për të përmbyllur procedurën e zgjedhjes së Presidentit/es.
“Ka qenë plotësisht e qartë se deri në dështimin e zgjedhjes së Presidentit më 5 mars 2026, procedurë e cila ka filluar vetëm dy orë para kalimit të afatit kushtetues, të gjitha forcat politike dhe liderët institucional, kanë pasur pajtueshmëri dhe qartësi të plotë për pasojën e dështimit të zgjedhjes së Presidentit brenda afatit kushtetues, pra 5 marsit 2026, deklarata këto që janë lehtë të qasshme në platforma publike”, citohet në dokument.
Presidentja në komente parashtron se neni 82 (1.3) i Kushtetutës përcakton një mundësi prej maksimalisht 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, nga dita e fillimit të procedurës. Pra, janë 60 ditë vetëm para skadimit të afatit përfundimtar të përcaktuar në nenin 86 (2) Kushtetutës.
Në komente, thuhet se mund të zhvillohen deri në tre raunde votimi në kuadër të një periudhe kohore prej maksimalisht 60 ditësh, por që sipas afatit të përcaktuar në nenin 86 (2), kushti është që e tërë procedura të përmbyllet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
Pretendimi i parashtruesve të kërkesave se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit cenon parimin e ndarjes së pushteteve, sipas Presidentes, nuk qëndron, përkundrazi- ajo konsideron se përforcon ndarjen dhe balancimin e pushteteve. Në rast se do të vepronte ndryshe, Osmani vlerëson se do të cenohej rendi kushtetues i shtetit.
Gjithashtu, potencohet se në rastin aktual, nuk ka ekzistuar asnjë rrethanë objektive apo e jashtëzakonshme, e cila do të pamundësonte zgjedhjen e Presidentit para skadimit të afatit përfundimtar kushtetues
Presidentja thekson se është neglizhuar detyrimi kushtetues i deputetëve për të zhvilluar dhe përmbyllur procedurën e zgjedhjes së Presidentit të ri.
“Pas konstituimit të Legjislaturës së Dhjetë më 11 shkurt 2026, deputetët e Kuvendit kanë pasur në dispozicion plot njëzet e tri (23) ditë për të zhvilluar dhe përmbyllur procedurën e zgjedhjes së Presidentit brenda afatit kushtetues. Sidoqoftë, ka pasur neglizhim të skajshëm të këtij detyrimi të tyre kushtetues dhe të kësaj çështjeje kaq të rëndësishme për shtetin tonë, duke mos e konsideruar si çështje me prioritet”, thuhet në komentet e Osmanit.
Sipas Presidentes, deputetët që kanë parashtruar kërkesën, kanë kërkuar 60 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit të ri, ndonëse, sipas saj, nuk shfrytëzuan asnjë nga 23 ditët që kishin në dispozicion.
“Më saktësisht, nga 552 orë të cilat ata i kanë pasur në dispozicion, ata kanë zgjedhur të shfrytëzojnë vetëm rreth një orë për të tentuar të përmbushin njërin nga detyrimet e tyre kryesore kushtetuese”, thuhet në dokument.
Pamundësia për të arritur kompromis politik nuk përbën pengesë kushtetuese, por sipas Osmanit, përkundrazi përfaqëson dështimin e vetë Kuvendit për të ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë që i janë besuar nga Kushtetuta.
“Rrjedhimisht, moszgjedhja e Presidentit brenda afatit kushtetues përfundimtar të përcaktuar në nenin 86.2 nuk ka qenë rezultat i ndonjë pengese objektive, por i mungesës së vullnetit politik për të arritur një marrëveshje në Kuvend. Kësisoj, nuk ekziston asnjë bazë kushtetuese që do të lejonte vazhdimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit pas kalimit të afatit përfundimtar të përcaktuar në nenin 86.2 të Kushtetutës”, thuhet më tej.
Në përfundim të komenteve, Presidentja vlerëson se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një paqartësi kushtetuese, por me një normë të qartë dhe detyruese të Kushtetutës- respektivisht nenin 86 (2) i cili qartazi përcakton afatin përfundimtar dhe imperativ për zgjedhjen e Presidentit. Meqenëse afati i përcaktuar ka kaluar pa u përmbushur detyrimi kushtetues i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri, u aktivizu mekanizm i shpërndarjes së Kuvendit
nga ana e Presidentes.
Dekreti, sipas komenteve, nuk ka krijuar një realitet të ri juridik, por ka formalizuar një pasojë që buron drejtpërdrejt nga dështimi i Kuvendit për të përmbushur një nga detyrimet e tij themelore kushtetuese, të përcaktuar në nenin 65 (7) të Kushtetutës.
“Çdo interpretim tjetër do të nënkuptonte relativizimin e karakterit detyrues të Kushtetutës dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Një qasje e tillë do të hapte rrugën për bllokime të qëllimshme institucionale dhe për zbehjen e vetë parimit të sundimit të ligjit”, thuhet në dokument.
Në fund, Presidentja kërkon që Kushtetuesja të konfirmojë se respektimi i afatit përfundimtar dhe imperativ të përcaktuar në nenin 86 (2) të Kushtetutës, është detyrim kushtetues, i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit institucional, funksionimin demokratik të shtetit dhe besimin e qytetarëve në rendin kushtetues të vendit.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese më 9 mars 2026 ka vendosur masën e përkohshme për dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, të 6 marsit 2026.
Qeveria e Kosovës ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me të cilën pretendon se dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Petendohet se janë shkelur gjashtë nene të Kushtetutës.
Në seancën e 5 marsit, Lëvizja Vetëvendosje i paraqiti dy kandidatë për postin presidentt: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun. Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi. Një ditë më pas, presidentja Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.

