Rinia Demokratike e Kosovës ka realizuar sot një aksion simbolik në reagim ndaj një pamjeje të papranueshme që u publikua dje nga ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ku një fotografi e Presidentit Hashim Thaçi ishte hedhur në tokë në një dhomë të mbushur me gjësende.
Ky veprim nuk është vetëm mungesë respekti ndaj një ish-Presidenti të Kosovës, por edhe një përpjekje e ulët për të relativizuar dhe fshirë një pjesë të rëndësishme të historisë sonë shtetformuese.

“Përmes aksionit të sotëm, Rinia Demokratike e Kosovës vendosi një fotografi të Presidentit Hashim Thaçi, të shoqëruar me disa nga momentet kyçe të rrugëtimit të tij politik dhe shtetëror: nga lider i studentëve, bashkëthemelues i UÇK-së, kryesues i delegacionit shqiptar në Rambuje, deri te Kryeministër i shtetndërtimit dhe President i Republikës së Kosovës. Mesazhi ishte i qartë:Fotografitë mund t’i gjuani, por historinë nuk mund ta fshini. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet sipas preferencave politike të kujtdo. Kontributi për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës është i dokumentuar në sakrificë, në vendime historike dhe në rrugëtimin e popullit tonë drejt lirisë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

“Rinia Demokratike e Kosovës beson se institucionet e Republikës duhet të jenë hapësira që nderojnë historinë dhe kontributin e atyre që kanë shërbyer për vendin, pavarësisht bindjeve politike. Sepse historia e Kosovës është më e madhe se çdo përpjekje për ta fshirë atë. E posaçërisht personalitetin dhe kontributin e Presidentit Hashim Thaçi”, thekson PDK-ja. /Zëri


