Tri zjarre kanë përfshirë gjatë orëve të hershme të mëngjesit disa fusha dhe zona malore në Kamenica. Pamjet nga vendi i ngjarjes janë publikuar nga fotografi Arian Mavriqi, i cili ka shpërndarë fotografi ku shihet se flakët kanë kapluar një pjesë të maleve.
Lidhur me rastin, mediumi Tëvë1 ka kontaktuar me Policia e Kosovës. Zëdhënësi për rajonin e Gjilan, Ismet Hashani, ka dhënë detaje shtesë lidhur me ngjarjen:
“Policia e Kosovës, njësitet policore në Kamenicë, kanë pranuar informata se në tri lokacione të ndara ka shpërthyer zjarr: në fshatin Desivojcë, fshatin Tyxhec dhe fshatin Koretin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Të tri këto raste janë duke u hetuar nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, ka thënë Hasani.
Ai ka shtuar se “me përmasimin e motit dhe fillimin e punëve pranverore, shumë bujq fillojnë të pastrojnë arat e tyre duke ndezur mbeturina, por zjarret shpesh dalin nga kontrolli, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën. Për këto veprime do të ketë pasoja ligjore konform ligjeve në fuqi.”
Hasani ka apeluar tek qytetarët: “Respektoni udhëzimet dhe mos të ndezini zjarre në sipërfaqe private të hapura, si ara, pyje apo livadhe, dhe kontribuoni në parandalimin e rrezikut nga zjarret. Për çdo rast të zjarrit apo dyshim për veprimtari të paligjshme, raportoni menjëherë në numrat emergjentë 192 ose 112, në mënyrë që të reagojmë me kohë dhe të parandalojmë pasojat.”

