Punimet në ndërtimin e Stacionit të Autobusëve në Gjilan po vazhdojnë me ritëm të shpejtë dhe tashmë objekti ka filluar të marrë formën e tij përfundimtare. Përparimi i projektit është bërë i ditur përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale nga kryetari i komunës, Alban Hyseni.
Sipas tij, ky projekt i rëndësishëm për qytetin po realizohet në kohë rekord dhe përbën një dëshmi konkrete të angazhimit për zhvillimin e infrastrukturës urbane në Gjilan.
Kryetari Hyseni theksoi se punimet po ecin sipas planit dhe se përfundimi i stacionit të ri të autobusëve do të përmirësojë ndjeshëm shërbimet për udhëtarët, si dhe do të kontribuojë në rregullimin dhe modernizimin e transportit publik në qytet.
Ky projekt pritet të sjellë lehtësi më të madhe për qytetarët dhe vizitorët, duke krijuar kushte më të mira për qarkullim dhe organizim të transportit ndërurban dhe ndërkombëtar nga Gjilani. /Radio Star/

