Prokurori i Krimeve të Rënda, Arianit Salihu, është emëruar në pozitën e Zëvendëskryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Emërimi i tij u bë të enjten gjatë takimit të 290-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës me 5 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Rekomandimin në KPK për emrin e Arianit Salihut për pozitën e Zëvendëskryeprokurorit e kishte dërguar Kryeprokurori Zejnullah Gashi.
Sipas CV-së së tij, Salihu ka mbi 16 vjet përvojë në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Karrierën e ka nisur më 2010 në Agjencinë Kundër Korrupsionit si zyrtar i lartë për hetime dhe strategji. Pastaj në Zyrën e Prokurorit Disiplinor (ZPD) në pozitën e inspektorit të lartë gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”
Në shkurt 2018, ai kishte marrë udhëheqjen e ZPD-së, në një periudhë kur ndryshimet ligjore ristrukturuan mekanizmat e llogaridhënies brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial.
Prej korrikut 2019, Salihu është pjesë e sistemit prokurorial fillimisht si prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Në shkurt 2024, ishte emëruar udhëheqës i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Në korrik 2024, ai u avancua në pozitën e Prokurorit të Krimeve të Rënda, në hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit. Salihu ka ndjekur trajnime profesionale në fushat e hetimeve dhe teknologjisë, duke përfshirë Sekuestrimi dhe Konfiskimi i Pasurisë, Specialised Judicial Training on Electronic Evidence dhe Cyber Awareness for Prosecutors Course.
Ndërkohë në mbledhjen e 290 të KPK-së, janë miratuar edhe katër rregullore të cilat janë plotësuar dhe ndryshuar sipas ndryshimeve ligjore që kanë hyrë në fuqi vitin e kaluar. Në mesin e rregulloreve të ndryshuara ishin edhe Rregullorja për Organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës; Rregullorja për Komisionin për Buxhet, Financave dhe Administrimin e Prokurorive etj.
Në këtë mbledhje u themeluan edhe komisionet e përhershme të KPK-së, përfshirë Komisionin për Çështje Normative, me kryesues Visar Krasniqi dhe katër anëtarët: Veton Shabani, Naim Abazi, Bahri Hyseni dhe Valdrin Krasniqi./BetimipërDrejtësi/

