Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e njëzet e gjashtë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Drita, Veton Tusha, i cili shënoi të vetmin gol në derbin e qytetit kundër rivalit SC Gjilani, i cili përfundoi me rezultat 0:1. Këto tri pikë e rikthyen skuadrën e Tushës në krye të tabelës.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pasi mori këtë çmim, Tusha u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës: “Derbi është gjithmonë i vështirë, por jam i lumtur që e kemi fituar. Atmosfera në skuadrën tonë është shumë e mirë dhe do të luftojmë nga xhiro në xhiro që në fund të kurorëzohemi me titullin kampion. Ky çmim i dedikohet ‘Intelektualëve’. Falënderoj bashkëlojtarët e mi, stafin e trajnerëve dhe familjen time që gjithmonë më qëndrojnë afër.”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

