Sulmuesi egjiptian Mohamed Salah ka konfirmuar se do të largohet nga Liverpool në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fund një periudhe të suksesshme në “Anfield”.
Tridhjetë e tre vjeçari, i cili i ishte bashkuar Liverpool në vitin 2017, është kthyer në një nga legjendat e klubit, duke u renditur si golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e tij.
Në një deklaratë emocionale, Salah konfirmoi vendimin e tij për t’u larguar.
“Fatkeqësisht, ka ardhur kjo ditë. Ky është fillimi i lamtumirës sime. Do të largohem nga Liverpooli në fund të sezonit”, ka thënë ai.
Sulmuesi ka shtuar se lidhja me klubin dhe qytetin ka qenë shumë më e thellë se sa e kishte imagjinuar. “Kurrë nuk e kam menduar se sa thellë ky klub, ky qytet dhe këta njerëz do të bëheshin pjesë e jetës sime. Liverpool nuk është vetëm një klub futbolli. Është pasion, histori dhe shpirt. Nuk mund ta shpjegoj me fjalë”, është shprehur Salah.
Gjatë nëntë viteve te Liverpool, ai ka fituar shumë trofe të rëndësishëm, përfshirë Premier League, Champions League, FA Cup, EFL Cup dhe Kupën e Botës për Klube.
Ai ka falënderuar tifozët dhe klubin për mbështetjen ndër vite. “Ne fituam trofetë më të rëndësishëm dhe luftuam së bashku edhe në momentet më të vështira të jetës sime. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij klubi gjatë kohës sime këtu”, ka deklaroi egjiptiani.
Salah ka theksuar se largimi nuk është i lehtë, por lidhja me klubin do të mbetet përgjithmonë. “Nuk kam mjaft fjalë për të përshkruar mbështetjen tuaj. Nuk do ta harroj kurrë. Largimi nuk është kurrë i lehtë. Do të jem gjithmonë njëri prej jush dhe ky klub do të jetë gjithmonë shtëpia ime. Faleminderit për gjithçka. Për shkak jush, unë kurrë nuk do të ec vetëm”, është shprehur Salah.
Nga ana tjetër, Liverpool e ka vlerësuar kontributin e tij si të jashtëzakonshëm, duke theksuar se vendimi për ta bërë publik largimin tani erdhi nga dëshira e lojtarit për transparencë ndaj tifozëve.

