Vendosja e sundimit serb në Kosovë në vitin 1912 është pasuar me vrasje, plaçkitje, terror e masakra që forcat serbe ushtruan mbi shqiptarët. Veprimet më çnjerëzore ndaj popullatës shqiptare të Gjilanit me rrethinë ishin ushtruar nga ana e ushtarëve të Armatës së Tretë Serbe, njësiteve vullnetare e të komitëve serbë, të cilët ishin përkrahur edhe nga serbët lokalë.
Diplomacia, shtypi ndërkombëtar i kohës, organizatat që u morën me pasojat e Luftërave Ballkanike, por edhe vetë socialdemokratët serbë, raportuan për krime ndaj popullatës shqiptare që nuk i ka njohur njerëzimi deri atëherë. U vranë, u rrahën e keqtrajtuan qytetarë të pafajshëm, iu dogjën shtëpitë, iu vodh pasuria e u përndoqën mijëra shqiptarë të Gjilanit me rrethinë.
Qëndrimi antishqiptar dhe pushtues i Serbisë, u dëshmua dhe me pushtimin e trojeve shqiptare nga ushtria serbe, dhe si rezultat pas kësaj, e tërë ajo propagandë dhe urrejtje ndaj shqiptarëve, që ishte shprehur përmes shkencës, publicistikës dhe aktivitetit propagandistik, tani u plotësua me dhunën e forcave ushtarake, policore, të njësive paramilitare çetnike dhe të qytetarëve serbë të armatosur, që vrisnin, plaçkitnin dhe vidhnin pa dallim shqiptarët.
Kësaj dhune e terrori, e kësaj politike të Serbisë, në masë të madhe i kishte paraprirë edhe shtypi serb që dilte në Perandorinë Osmane. Gazetat “Vardar”, “Kosovo”, “Carigradski glasnik” e gazeta të tjera, të cilat kishin botuar artikuj të ndryshëm mbi gjoja zullumet e shqiptarëve kundër sllavëve.
Ato shkrime ishin të inskenuara dhe sensacionale që e elektrizonin opinionin, duke mbjellë urrejtje midis popullit shqiptar dhe atij sllav. Kjo propagandë dhe urrejtje ndaj shqiptarëve kishte gjetur mbështetës edhe jashtë Serbisë në çarqet ndërkombëtare.
Një rezistencë e arsyeshme në Serbi ishte bërë vetëm nga Partia Socialdemokrate Serbe e Dimitrije Tucoviqit. Ky socialdemokrat serb theksonte se aspiratat e Serbisë për t’i arritur qëllimet e veta në trojet shqiptare ishin të mbrapshta, ngase atë që mund të arrihej vetëm me marrëveshje dhe bashkëpunim miqësor të popullit shqiptar të çliruar, deshi ta arrinte kundër tij.
Shqiptarët e Gjilanit me rrethinë, megjithëse gjendeshin në një pozitë të vështirë dhe nën terrorin e trysninë e paparë asnjëherë nuk ishin gjunjëzuar e këtë më së miri e dëshmojnë fjalët e Idriz Seferit, udhëheqës i shqiptarëve të Gjilanit, i cili as pas pushtimit nuk kishte lëshuar armët, duke thënë: “Ju bëni si të doni e unë nëse jam burrë e di se ku duhet vdekur”.
Menjëherë pas hyrjes së ushtrisë serbe e malazeze në Kosovë filluan krimet, vrasjet e plaçkitjet në mbarë trojet shqiptare të pushtuara prej tyre. Kudo ku shkelën, në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të të gjithë Shqipërisë, serbët mbollën vdekje e shkatërrime. Vetëm në dy muajt e parë të luftës, në tetor-nëntor 1912, u vranë 25.000 shqiptarë.
Qytete të tëra, si Prishtina, Vushtrria, Ferizaj, Gjilani, Kumanova, Presheva, Prizreni, Peja etj., iu nënshtruan shkatërrimeve. Fshatrat përreth këtyre qyteteve u bënë shkrumb e hi, ndërsa banorët e tyre, pa kursyer as gratë, pleqtë e fëmijët, u vranë ose u dogjën të gjallë, në zjarrin e shtëpive të tyre.
Duke folur për dhunën që ushtroi ushtria serbe në Gjilan, Noel Malkolm shkruan se kjo ushtri përdorte forma të ndryshme dhune mbi shqiptarët për t’i bërë ata lojalë ndaj pushtetit të ri dhe kur ushtria nuk mund t’a arrinte një gjë të tillë përdorte mënyrat më të vrazhda, duke trokitur në dyert e shtëpive të shqiptarëve, duke i marrë prej aty burrat dhe duke i pushkatuar menjëherë. Në Gjilan vetëm brenda disa ditësh numri i burrave të vrarë kishte arritur në 400.
Katunde të panumërta u bënë rrafsh me tokë, individë të panumërt u masakruan në mënyrën më shtazarake. Aty ku dikur ishin shtëpitë modeste që breza shqiptarësh të varfër i kishin ngritur plot mund, s’kishte mbetur gjë tjetër veç rrënojave e tymit.
Edith Durham, e cila ishte dëshmitare e drejtpërdrejtë e këtyre ngjarjeve, shkruante se nga krahinat e pushtuara vinin lajme të dhimbshme mbi mizoritë e padëgjuara që i kryenin serbët ashtu edhe malazezët mbi popullsinë shqiptare. Sipas saj, ata në vend që t’i fshihnin veprat e tyre, përkundrazi mburreshin me to.
Një pjesë e popullsisë së Gjilanit me rrethinë, duke i parandier masakrat kishin lëshuar shtëpitë e tyre, duke marrë me vete vetëm anëtarët e familjes. Në Gjilan e rrethinë organet lokale serbe bënë krime mizore në mbarë kazanë.
Gazeta “Reichespost” që botohej në Vjenë, e cila shkruante për masakrat që kishin bërë forcat serbe gjithkund nëpër Kosovë, shkruante se në Gjilan, ku shqiptarët nuk ishin të mbrojtur, gati të gjithë banorët janë vu nën zjarr dhe nën shpatë dhe se vetëm ata që kishin marrë arratinë shpëtuan gjallë.
Sipas rrëfimit të mulla Mustafë Selmanit, i lindur më 1902, kur vinte ushtria serbe prej Bujanocit e Svircës, popullata, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq ikte në drejtim të Ferizajt, duke menduar se kufiri mund të vendoset në hekurudhë, gjë e cila nuk ndodhi.
Pushtimi serb i Gjilanit me rrethinë u shoqërua me tmerr e masakra të papara deri atëherë, sidomos në fshatrat e Gjilanit. Kjo ndërmarrje shoviniste kishte për qëllim të shkaktojë frikë në popullsinë shqiptare, e cila qysh në fillesë i kishte bërë të njohur Serbisë se nuk do të pajtohej assesi me pushtimin e ri, prandaj, kryengritja do të ishte filozofi e jetës së vendësve.
Për pastrimin etnik apo zhdukjen e shqiptarëve, ushtria serbe ndiqte një taktikë të përpunuar mirë nga specialistë e kriminelë. Në fillim vepronte ushtria, duke u futur në çdo fshat, ku kapte e ekzekutonte atdhetarët, kryetarët e familjeve, arrestonte dhe digjte shtëpi të fshatarëve.
Pasi largohej ushtria vinin forcat ushtarake – policore e paramilitare. Këto, nën maskën e vendosjes së rendit, arrestonin, vrisnin e zhduknin banorë të pafajshëm, gra, pleq e fëmijë. Nën maskën e kontrolleve për mbledhjen e armëve futeshin kudo nëpër familje e kudo i bastisnin ato dhe i përzinin nga shtëpia.
Shtypi i kohës shkruante se vetëm në Kazanë e Gjilanit janë rrënuar 29 katunde shqiptare në Malet e Karadakut, janë djegur e rrafshuar për tokë 280 shtëpi shqiptarësh dhe janë vrarë e therur gati të gjithë meshkujt. Një numër krejt i vogël i të ikurve i mbijetoi kërdisë e si dëshmi e shkatërrimit të Gjilanit kanë mbetur veç rrënojat.
Nga ushtria vrastare serbe kanë pësuar rëndë fshatrat në thellësi të Malësisë së Kardakut, si Depca, Myqybaba, Caravajka, Peçena, Kurexhajt e fshatra të tjera. Burrat e këtyre fshatrave pasi ishin zënë nga ushtria serbe ishin lidhur e grumbulluar në Kodrën e Peçenës dhe ishin masakruar në mënyrën më mizore. Në dy gropa që ishin hapur, mbi 140 burra të këtyre anëve u therën, përvëluan e u dogjën në zhurmën e daulles e të xurlave.
Masakra u bënë edhe në fshatin Gruhali, ku u vranë 18 burra, gra e fëmijë që në rrugë e sipër ishin duke ikur. Në Pidiq, fshatarët bënë rezistencë përmasash të vogla, dhe gjatë luftimeve pati të vrarë e në shenjë hakmarrjeje u dogjën të gjitha shtëpitë e fshatit bashkë me plevicat, ahuret e bagëtinë, ndërsa vrasjet e djegiet vazhduan edhe në fshatrat përgjatë Grykës së Karadakut në Haxhaj, Selishtë, Kurexhaj e Zhegër.
Në fshatrat e Malësisë së Karadakut, shumicën e të vrarëve në varreza të cekëta do t’i varrosnin gratë e fshatit, ngase burrat ishin arratisur në male, kurse pati edhe trupa të pajetë që ngelën lëndinave.
Në Bresalc, pas ardhjes së hordhive serbe në mënyrë barbare likuidohet Murat Bilalli, që ishte krah i fortë i Idriz Seferit. Ai u likuidua bashkë me 26 bashkëluftëtarë. Serbia kishte trashëguar nga osmanët listën e luftëtarëve, të cilët i zhduku një nga një pa gjurmë.
Nga 27 luftëtarë sa u likuiduan dihet se vetëm Rrustem Mehmet Haziri dhe Adem Ali Halimi u pushkatuan ende pa u dërguar në Koretishtë dhe pastaj anëtarët e familjeve i morën kufomat dhe i varrosën në oborret e veta, derisa sipas familjarëve, viktimave të tjera nuk u dihet varri, por besohet se Koretishta është varreza e shumicës prej atyre, sepse aty janë masakruar shumë shqiptarë. Për Murat Bilallin dihet se u ekzekutua në Gjilan. Atij i është hequr koka te ndërtesa e vjetër e gjimnazit, por varri i tij nuk dihet.
Me qindra emra të të vrarëve në vitet 1912 – 1913 nga serbët janë shënuar në murin përkujtimor të Qendrës Memoriale “Kodra e Dëshmorëve” në Gjilan. Sipas komisionit që në terren ka mbledhur emrat e të vrarëve në komunën e Gjilanit, del se gjatë periudhës së Luftërave Ballkanike të vrarë kishte në Bresalc, në Llashticë, Zhegër, Makresh i Ultë, Malishevë, Përlepnicë, Livoç i Ultë, Dunavë, Gumnishtë, Velekincë, Sllakovc i Ultë, Sllakovc i Epërm, Livoç i Epërm, Vërbicë e Zhegovcit, Çelik, Llovcë, Lipovicë, Kurexh, Kishnapolë, Shurdhan, Uglar, Ponesh, Pogragjë, Sllubicë, Demiraj, Burincë, Zhegoc, Muhaxherë të Pasjanit, Haxhaj, Kmetoc, Pidiq, Myqybabë, Capar, Pasjak, Cërnicë, Stanishor, Nasalë e në qytet, si në lagjën “Dermëhalla”, “Lagjen e Muhaxherëve” e fshatrave e lagjeve të tjera.
Fshatrat Tërstenik, Vërban, Lubishtë dhe Gjylekar kanë qenë skena të banjave të gjakut, ku 283 burra e gra janë torturuar pa mëshirë. Tragjedia e lubishtasve arrin në 95 të vrarë, të pushkatuar dhe të humbur. Shumicës edhe sot nuk u dihen varret e në mesin e të vrarëve kishte edhe mysafirë nga fshatrat tjera.
Për sjelljet barbare të 100 ushtarëve serbë në krye me rreshterin e tyre, komandanti Gjorgje Jovanoviq e njoftonte komandantin e divizionit të Kosovës, se këta ushtarë me të arritur në fshatin Lubishtë (fshat i banuar tërësisht me popullatë shqiptare) menjëherë e kanë rrethuar fshatin dhe të gjithë fshatarët e moshës madhore i kanë nxjerrë jashtë, kanë bërë kontrollin e tërësishëm të fshatit, pastaj të gjithë shqiptarët i kanë marrë në pyetje, duke kërkuar të dijë se kush kishte gjuajtur në drejtim të ushtarëve dhe pasi që askush nuk kishte treguar se kush ka gjuajtur, i kishin pyetur se a kishin qenë në vendin prej ku ishte gjuajtur.
Të revoltuar se shqiptarët nuk kishin treguar se kush kishte gjuajtur, kishin djegur shtëpitë e fshatit dhe të gjithë shqiptarët e moshës madhore të lidhur i kishin dërguar në një pyll, ku më vonë fshatarët e Vërbovcit (i banuar me serbë) kishin rrëmihur gropa, në të cilat ishin futur shqiptarë, të cilët ishin dënuar me procedurë të shpejtë.
Bashkëpjesëmarrës në krimet e kryera ndaj shqiptarëve kanë qenë edhe serbët lokalë, të cilët në forma të ndryshme kanë cytur ushtrinë për të kryer masakra ndaj shqiptarëve e dëshmi për këtë janë edhe vetë eprorët serbë të ushtrisë të cilët njoftonin komandantin e Divizionit të Kosovës.
Kështu për vrasjen ndaj shqiptarëve në Mogillë të Vitisë raportohej se kur ushtria serbe në kohën kur po kalonte natën në Vërbovc, nga serbët e atyshëm është njoftuar se në Mogillë (fshat i banuar me shqiptarë e serbë), në një shtëpi të shqiptarëve ka armë dhe se aty mblidhen shqiptarët për t’u marrë vesh.
Ushtria bllokoi fshatin Mogillë dhe ka kryer kontroll në atë shtëpi, ku gjeti njëmbëdhjetë shqiptarë dhe aty gjetën një pushkë dhe 54 fishekë dhe të gjithë u gjykuan me procedurë të shkurtër. Dhunë është ushtruar edhe ndaj banorëve të Gjylekarit, ku ushtria serbe nën arsyetimin se kërkonte armë dhe persona të dyshimtë tërë mllefin e saj e zbrazte ndaj shqiptarëve të pambrojtur.
Imzot Lazër Mjeda, arqipeshk katolik i Shkupit, në raportin e tij, dërguar Vatikanit më 24 janar 1913, lidhur me pushtimin serb të Kosovës e Maqedonisë, ka dhënë një njoftim të plotë, kurse në pjesën ku fliste për krimet e kryera në Moravë shkruante se njeriu tmerrohet kur i përshkruan vjedhjet, grabitjet dhe dhunimet e grave në mënyrën më barbare. “Në Tërstenik 60 njerëz janë vrarë, tridhjetë e dy në Smirë, 90 në Lubishtë, 20 në Vërban dhe në Komogllavë, fshat me 50 familje, të gjithë meshkujt janë vrarë pa përjashtim… ata që ishin qëlluar, por kishin mbetur gjallë, mbyteshin me bajoneta”. Mjeda njoftonte Vjenën se edhe Gjilani është masakruar, ndonëse qyteti ishte dorëzuar në mënyrë paqësore.
Leo Freundlich në “Albanische Korrespondenz” më 20 mars 1913 të botuar në Vjenë, shkruante pos tjerash se në Lubishtë, oficerët serbë shitnin gratë e fshatit si skllavëresha, madje edhe për 400 piestra.
Për mizoritë serbe në Gjilan e rrethinë flasin edhe përfaqësitë diplomatike të Austro –Hungarisë në territoret e pushtuara. Kështu, konsulli austro-hungarez në Shkup e bënte me dije Vjenën për aktet e dhunimit të grave shqiptare (të fesë katolike) në fshatin Letnicë dhe Shosharë të anës së Gjilanit.
Gazeta londineze Daily Telegraph botoi korrespodencën nga Vjena për masakrat në fshatrat Shosharë, Letnicë, Vërban, Sefer, Lubishtë, Gjylekar, Selicë etj. Ushtria serbe kishte marrë katundin Shosharë në fund të shkurtit.
Mbasi kishin hequr krejt burrat e djemtë prej katundit, ushtarët zunë t’i përdhunojnë gratë dhe vajzat. Ushtarët serbë kryen të njëjtat ligësi në katundin e Letnicës. Për përdhunimet në fshatin Shosharë dhe Letnicë, në fund të shkurtit të vitit 1913 shkruante edhe korrespondenti i luftës, i gazetës daneze “Riget”.
Këto masakra të papara kishin alarmuar edhe qarqet ndërkombëtare, kurse nën presionin e jashtëm pushteti serb u detyrua të bënte hulumtime për terrorizimet e shkaktuara nga ushtria e saj. Për të konstatuar gjendjen kishte shkuar edhe vet prefekti i Gjilanit, Toma Popoviq, i njohur për brutalitet, por në fshatrat e përmendura gjoja nuk kishte dëgjuar asgjë për dhunimet. Edhe gjenerali Mishiq dërgoi atje për të njëjtin qëllim oficerin e tij. Konstatimet e ushtarakut binin në kundërshtim me pohimet e prefektit. Nga këto hetime doli se në fshatrat e sipërpërmendura u bë bastisja e të gjitha shtëpive (me përjashtim të konakut të priftit dhe të kishës) për t’i mbledhur armët dhe qetësuar popullatën.
Në krye të këtij misioni ishin zakonisht komitët e Narodna Odbranës. Siç konstatonte gazeta serbe e kohës “Radniçke Novine”, e cila kishte qëndrim më paksa më objektiv për zhvillimet e asaj periudhe, ishin komitët serbë të armatosur deri në dhëmbë ata që futeshin nëpër shtëpi pas mesnate, i nxirrnin meshkujt përjashta për t’i dërguar në polici të lidhur. Aty i shpallnin si kaçakë dhe i shtronin në dajak.
Nga një bastisje e rrufeshme që ndërmorën forcat serbe, ku pati ndjekje, vrasje e djegie të shtëpive, të gjithë banorët e Beguncës braktisën fshatin dhe banorët u ndanë në dy kolona, një në drejtim të Shkupit e tjetra në drejtim të Kumanovës.
Në Smirë, 83 fshatarë të lidhur dorë për dorë u pushkatuan në vendin e quajtur Bjashkallave. Prej tyre shpëtuan gjallë e të plagosur dy persona. Në Goshicë gjetën vdekjen 50 burra, në Tërstenik 60 e në Komogllavë 50.
Njëzet meshkuj shqiptarë u pushkatuan në Mogillë dhe një i vrarë u soll nga fshati Trenaj në vendpushkatimin Rashi, pranë fshatit, e kolonët vendas i nxorën kufomat e masakruara dhe i varrosën në lëndinën e Mogillës në Rastanovicë- Zakuta, në Veri të Mogillës.
Për t’i shpëtuar dhunës së forcave serbe, shqiptarët nga rajoni i Moravës, i Karadakut e i Gollakut tentuan t’i mbrojnë fshatrat e tyre. Ushtria serbe nga drejtimi i Ferizajt po sulmonte fshatrat e kësaj komune, kurse në drejtimin tjetër sulmoheshin fshatrat e Gjilanit me rrethinë për t’u takuar të dy krahët në Karadak e Gollak. Shqiptarët bënin qëndresë fillimisht në Starasellë (Fshat i Vjetër), për t’i bërë pritën e dytë në Sojevë.
Gjatë kësaj qëndrese pati humbje të ushtrisë vullnetare shqiptare dhe të asaj serbe e pas tërheqjes së vullnetarëve shqiptarë, i tërë mllefi u zbraz mbi popullsinë civile. Njësitë sllave në Tërstenik vranë 66 shqiptarë, në Smirë vranë 83 njerëz të pafajshëm, në Kabash, i morën dhe i dërguan në Zabel të Sahit Agës, në Kllokot dhe i vranë 56 veta, sa i vranë edhe në Goshicë, ndërsa në Lubishtë në dy rrethime u vranë 95 shqiptarë e prej aty forcat serbe iu lëshuan fshatrave të Karadakut të Gjilanit e të Preshevës.
Serbët kryen masakra dhe demonstruan dhunë edhe në Malësinë e Gollakut. Kështu në dhjetor të vitit 1912, një ekspeditë e armatosur bashibozukë nga Kolloleqi, e udhëhequr nga mësuesi serb Llazar Zeqeviq iu vërsul Shipashnicës.
Pas torturimeve të mëdha, kjo ekspeditë i ndau pesë veta, katër prej të cilëve i pushkatuan në malet e fshatit të tyre. Vojvoda Llazar Zeqeviqi nga këta kishte ndarë më të riun, të cilin e kishin rrahur. Në Sfircë kishin mbetur pa u djegur vetëm tri shtëpi. Nga dhuna serbe pësuan edhe qindra qytetarë në Tygjec, Sfircë, Hogosht, Gmicë, Zajçec e në fshatra tjera të Gallapit.
Për sjelljet barbare të ushtrisë serbe shkruante edhe Dimitrije Tucoviqi, i cili thoshte se fshatrat shqiptare, prej te cilave burrat ishin larguar me kohë, u bënë shkrumb. “Këto qenë krematoriume barbare, ku u dogjën për së gjalli me qindra gra e foshnje. Kryengritësit shqiptarë, kur i zinin robër oficerët dhe ushtarët serbë, vetëm i çarmatosnin dhe pa fjalë i lëshonin, ndërsa ushtria serbe nuk i kurseu as fëmijët, as gratë dhe as të sëmurët”.
Korrespondenti special i “Daily Telegraph” raportonte se sjelljet mizore të trupave të gjeneralit serb Bozhidar Jankoviq ua shkuan të gjitha tmerreve të historisë. Serbët, në marshimin e tyre drejt Shqipërisë i vranë pabesisht jo veç shqiptarët e armatosur, por në tërbimin e tyre madje edhe individët e paarmatosur, pleqtë, gratë, fëmijët dhe foshnjat në gji të nënave.
Për të arsyetuar krimet serbe, ministri serb i Fesë dhe i Arsimit, Ljuba Jovanoviq, ka botuar një deklaratë në një gazetë sllave e të cilën e citonte “Deutches Volksblatt”, në të cilën ai ndër të tjera thoshte se “shqiptarët i kanë rezistuar pushtimit serb e madje kanë qitë me armë kundër ushtarëve mbasi janë dorëzuar”.
Sipas tij këso qitjesh ka pasur jo veç jashtë, por edhe prej brenda shtëpive në katundet e pushtuara dhe sipas tij, kjo ka çuar te ajo që ndodh gjithkah kur njerëz që s’janë luftëtarë i kundërvihen një ushtrie fitimtare” (që d.m.th masakrimin e shqiptarëve).
Në Raportin e Komisionit Ndërkombëtar për Luftërat Ballkanike, që ka të bëjë me luftimet që i bëri Serbia, thuhet se gjetjet e komisionit ndërkombëtar kanë rezultuar se ka pasur krime të rënda luftarake. Sipas këtij raporti është vërtetuar se armët nuk janë përdorur vetëm kundër ushtrisë armike, por edhe për terrorin ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni, njerëzve të vjetër, fshatarëve, bujqve, grave dhe fëmijëve. Sipas raportuesve të këtij komisioni, Serbia kreu krime të papara, duke shndërruar në hi shtëpi të tëra e duke masakruar në mënyrë masovike popullsinë e paarmatosur dhe të pambrojtur.
“Akte të dhunës të papara, plaçkitje dhe egërsi e llojeve të ndryshme – këto janë mjetet të cilat janë përdorur dhe ende po përdoren nga ushtria serbo-malazeze, me qëllim të ndërrimit etnik të krahinave që janë të banuara vetëm me shqiptarë”.
Në raportimin e Komisionit Ndërkombëtar ku flitet për Gjilanin, thuhet se ndaj popullsisë së Gjilanit kanë ndodhur masakra; qyteti është djegur e shkatërruar edhe pse shqiptarët e atij qyteti nuk kishin bërë rezistencë. E tërë kjo dhunë ishte e dirigjuar nga kreu i ushtrisë serbe, ngase kjo ushtri nuk bëri asnjë hap në ndaljen e vrasjeve, plaçkitjkeve, grabitjeve e dhunimeve të shqiptarëve, por ajo ishte nxitëse e këtyre krimeve dhe ushtria e kërkonte dhe urdhëronte që të zbatohej kjo dhunë ndaj popullsisë shqiptare.
E tërë kjo dhunë e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare, kishte edhe një qëllim tjetër, atë të shpërnguljes së saj dhe konolizmin e këtyre trevave me serbë të ardhur, ngase deri te shpërngulja nuk ka mundur të vije vetvetiu e edhe civilët nuk kanë mundur të shkojnë pas ushtrisë, e cila në kaos të plotë tërhiqej. Bëhej fjalë përgjithësisht për popullsi që merrej me bujqësi, e cila nuk e linte aq lehtë tokën dhe bagëtinë. Të lësh tokën do të thoshte të humbësh gjithçka, kështu që vendimi për largim masiv nuk ka mundur të jetë spontan. Duhej detyruar popullsinë që të zhvendosej dhe kjo bëhej, duke futur qetat ushtarake nëpër fshatra dhe duke djegur fshatra dhe shtëpi. Komisioni i Karnegit ka gjetur se 80 përqind e fshatrave myslimane në të cilat është futur ushtria kanë qenë të djegura. Janë evidentuar raste kur ushtria ka hyrë nëpër vendbanime, ka ndarë burrat prej grave dhe i ka vrarë me radhë. Shpesh këto krime i kanë bërë ushtarët e shteteve që ishin në aleancë. Sigurisht, këto fakte dëshmojnë terrorin serb mbi shqiptarët, dëshmojnë atë projekt shfarosës që Serbia edhe dekada të tjera më pas do ta ketë bibël të veten.
Në vendet e pushtuara, ushtria serbe organizoi reparte çetnikësh e xhandarësh, të përbërë nga kriminelë, hajdutë, njerëz të degjeneruar, vrasës. Ata trumbetonin se kanë ardhur t’i çlirojnë territoret nga sundimi pesëshekullor osman, të bëjnë vëllazërimin e dy popujve, të “hapin” rrugë e hekurudha, të bëjnë “civilizimin” e Shqipërisë etj, ndërsa nga ana tjetër vazhdonin një gjenocid të paparë. Kush nuk zbatonte rregullat e vëna nga komandantët serbë pushkatohej në vend.
Përmes këtyre gjykatave do të fillojnë edhe konfiskimet e shpronësimet e shqiptarëve. Ata nuk i merrnin parasysh as tapitë e vjetra familjare të pronësisë së tokave e shtëpive nga periudha osmane si dhe kontrata të asaj kohe. Qëndrimi antishqiptar shihet edhe me diskriminimin në planin arsimor. Me rregulloren për viset e pushtuara parashihej kontrolli i plotë i shtetit mbi shkollat shtetërore dhe private si dhe institucionet fetare. Në bazë të kësaj rregulloreje shkollimi fillor shtetëror ishte i obligueshëm për të gjithë qytetarët e pjesëve të “çliruara” pa dallim. Por shkollimi ishte i lejuar vetëm atyre që flisnin gjuhën serbe, gjuhët joserbe ishin të ndaluara zyrtarisht.
Shqiptarët, që në Kosovë e me këtë edhe në Gjilan e rrethinë përherë ishin popullatë dominuese, asnjëherë nuk u përfshin në organet vendimmarrëse. Atyre iu mohua e drejta për pronë, identitet kombëtar, e drejta e besimit të lirë, e drejta e shkollës, e drejta e punës, e gjuhës dhe e lëvizjes.
Edhe nëpërmjet planit të saj për përvetësimin e krerëve shqiptarë me ndikim, Serbia tentonte që nëse ky plan do të ketë sukses, atëherë do t’i shfrytëzonte ata për interesa të veta e nëse nuk do të mund t’ia arrinte këtij qëllimi, atëherë Serbia mëtonte që krerët shqiptarë të komprometoheshin para bashkatdhetarëve të tyre si njerëz të shitur.
Duke arrestuar krerët shqiptarë, apo të edhe një a më shumë anëtarëve të familjeve nëpër fshatra e në qytete, ushtria serbe synim të sajin kishte që t’i detyronte shqiptarët e zonave të pushtuara që të rrinë të qetë dhe të mos i kundërvihen ushtrisë pushtuese serbe.
Një formë tjetër e dhunës ndaj shqiptarëve ishte edhe sjellja e kolonëve serbë, marrja me dhunë e pasurisë, tentimi për ndërrimin e fesë dhe forma të tjera dhunës. Kolonët serbë jo vetëm që ishin më të privilegjuar se shqiptarët në çdo pikëpamje, ata ishin më të priveligjuar edhe ndaj serbëve vendorë. Kolonët kishin edhe shumë të drejta që nuk i gëzonin shqiptarët e as serbët autoktonë, ata kishin të drejtë të bënin prerjen e druve të punës në malin e komunës dhe në malet shtetërore, për ndërtimin e shtëpive dhe objekteve ndihmëse. Këto të drejta të kolonëve, shqiptarët autoktonë nuk i gëzonin në asnjë fushë, por përkundrazi shqiptarët tatimet mbi tokat, pyjet, malet etj., i paguanin me çmime të trefishuara, ndërsa kolonët ishin të liruar nga tatimet për tokë, për kafshë për tre vjet dhe nga të gjitha tatimet komunale e shtetërore.
Në kushte të tilla të diskriminimit të hapur, jeta për shqiptarët ishte bërë e padurueshme dhe e papërballueshme, andaj të gjitha këto veprime të ndërmarra nga aparati shtetëror serb dhe nga kolonët bënë që nga fshatra të ndryshme të Gjilanit me rrethinë të nis shpërngulja e banorëve për në Turqi.
Pushteti serb, me qëllim të nxitjes së shpërnguljes sa më të madhe të shqiptarëve përdorte format nga më të ndryshme të presionit. Ai përpos dhunës dhe persekutimeve fizike, përdorte edhe presion politik, duke mos përjashtuar as presionin ekonomik dhe sidomos të atyre të tatimeve të mëdha për tokë. Presion ushtrohej sidomos ndaj shqiptarëve që ishin më të pasur dhe që kishin sasi më të madhe të tokës së punueshme, duke i ngarkuar me tatime të papërballueshme.
Duke përdorur këtë mënyrë të presionit, pushteti serb mëtonte të shpërngulte njerëzit më të pasur e më me ndikim, në mënyrë që me ata që ishin më të varfër më pas t’ia bënte më lehtë. Qytetarë që shpërnguleshin për në Turqi, ka pasur raste kur para se të niseshin kanë qenë të detyruar të nënshkruajnë dokumente se tërë tokën e tyre ia falin “shtetit”, ngase tokën e tyre nuk e kishin marrë përsipër as të afërmit e tyre, shkaku i pamundësisë së pagesës së tatimeve që ishin shumë të larta. Një praktikë e tillë është përdorur sa herë që është nevojitur të shpërngulen shqiptarët. Duke pasur parasysh rendimentin e dobët të tokës, shumën e tatimit që ishte e papërballueshme dhe mblidhej me dhunë, atëherë popullsia ishte e pakënaqur dhe jeta e tyre ishte bërë e padurueshme, andaj popullata kërkonte shpëtimin në shpërnguljen nga trojet e veta.
Një lloj tjetër i presionit mbi shqiptarët ishte edhe ai për ndërrimin e fesë – konvertimi me dhunë i myslimanëve dhe i katolikëve shqiptarë në fenë ortodokse. Kjo ishte një formë e posaçme e terrorit dhe gjenocidit shtetëror, me qëllim përfundimtar shkombëtarizimin e popullatës shqiptare dhe asimilimin e kësaj popullsie në territoret e pushtuara, sikurse edhe shpërnguljen e asaj popullsie që nuk e pranonte ndërrimin e fesë. Një gjë e tillë ishte tentuar të bëhej në fshatrat e Karadakut. Pushtuesit serbë u kishin caktuar edhe emra sllavë banorëve shqiptarë, duke sjellë edhe certifikata nga Beogradi dhe tentonin të impononin bindjen se shqiptarët me vullnet e kanë ndërruar fenë.
Ushtria serbe për mosbërje kryq e ndërrim të fesë vrau shqiptarë, të cilët ishin këmbëngulës të ruanin fenë e tyre, siç është rasti i Salih Ajvazit nga Terzijaj, i cili para se të vritej u kishte thënë serbëve: “Salih kam le dhe Salih du me dekë”. Serbët lokalë dëbuan edhe shqiptarët që njiheshin si muhaxhirë të Pasjanit.
Plaçkitja e pasurisë dhe e tokave, dhuna që ushtrohej ndaj popullsisë dhe pamundësia e punimit të tokës, bënë që dimri i vitit 1912/1913, për Gjilanin të jetë shumë i vështirë. Këto anë i kishte kapluar uria dhe popullsia jetonte jetë të vështirë. Nga raportet e inspektoratit të policisë e udhëheqësve tjerë të Ministrisë së Brendshme, të janarit e shkurtit 1913, thuhej se në Rrethin e Gjilanit dhe Llapit kishte mungesë të drithit dhe se urgjentisht duhet dërguar misër për të zbutur urinë.
Shumë njerëz qenë të detyruar të dalin kaçakë në mal, që ndiqeshin nga pushteti, i cili shpesh i hakmerrej popullsisë, kurse djegiet në masë i arsyetonte me rezistencën e armatosur që u bëhej nga shtëpitë gjatë ndjekjes së kaçakëve.
Kështu tmerrin e masakrave e të vdekjeve e shtonte ndarja dhe ikja për në Turqi, po edhe gjendja e rëndë sociale, respektivisht varfëria ekstreme.
Shqiptarët me gjithë presionin që bëhej ndaj tyre, rezistuan edhe atëherë kur Serbia i shtrëngonte që të dërgohen në luftë, tashti kur aleatit të saj të dikurshëm Bullgarisë, por shqiptarët në masë nuk iu përgjigjën thirrjes në këtë luftë që nuk ishte për lirinë e popullit të tyre e shumë shqiptarë për t’iu shmangur kësaj lufte dhe terrorit të pushtuesve serbë dolën kaçakë në mal, duke mos u dorëzuar kurrë dhe duke pritur ditë më të volitshme për një kryengritje të re.