Kuvendi i Kosovës e ka miratuar vendimin për dërgimin e FSK’së në Gaza.
Vendimi për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, u miratua me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kosova është zotuar se do të dërgojë trupa në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), mekanizëm që është paraparë të formohet me themelimin e Bordit të Paqes – nismës së presidentit amerikan, Donald Trump për arritjen e paqes në botë.
Krahas vendimit për dërgimin e trupave në Gazë, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.
Kjo marrëveshje pritet të shqyrtohet javën e ardhshme.
Bordi do të mbikëqyrë rindërtimin e Gazës dhe do të kërkojë zgjidhjen e konflikteve globale.
Ish-Presidentja Vjosa Osmani, e cila e kishte nënshkruar marrëveshjen, e kishte cilësuar si historike.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”, kishte deklaruar Osmani.

