Në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Agimit”, i organizuar në nderim të heroit kombëtar Agim Ramadani, sonte u zhvillua finalja e madhe e turneut, e cila solli emocione, atmosferë festive dhe nivel të lartë gare sportive.
Nën simbolikën e “Flakadanit të Lirisë”, ekipi “Kenan Halimi” u shpall kampion pas një paraqitjeje mbresëlënëse në finale, duke triumfuar ndaj ekipit “PS Center” me rezultatin 3:1.
Ndeshja finale u karakterizua nga rivaliteti sportiv, organizimi i mirë dhe pjesëmarrja e madhe e qytetarëve, të cilët krijuan një atmosferë të veçantë në kujtim të veprës dhe sakrificës së Agim Ramadanit.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, përgëzoi ekipin fitues për suksesin e arritur, ndërsa vlerësoi lart edhe organizatorët për realizimin e një aktiviteti dinjitoz dhe me rëndësi për komunitetin.
Ai theksoi se aktivitete të tilla sportive dhe kulturore shërbejnë për të ruajtur frymën e bashkimit, respektit dhe kujtesës për figurat që dhanë kontribut për lirinë e vendit.
Në përfundim, u ndanë mirënjohje dhe u përcollën mesazhe falënderimi për të gjithë pjesëmarrësit dhe kontribuuesit e këtij organizimi./Radio Star/

