Në qytetin e Kamenicë, këtë të diel më 3 maj 2026, duke filluar nga ora 10:00, do të mbahet Turneu i IV-të “Ditët e Agimit”, një ngjarje sportive dhe patriotike e organizuar në nderim të Heroit Kombëtar Agim Ramadani.
Ky event, i cili tashmë po shndërrohet në një traditë të rëndësishme sportive dhe kombëtare, organizohet nga Shkëlzen Balaj, i cili ka bërë të ditur se interesimi për pjesëmarrje këtë vit është jashtëzakonisht i madh, me ekipe dhe sportistë nga shtete të ndryshme që kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
Sipas organizatorëve, qëllimi kryesor i këtij turneu është promovimi i vlerave sportive, bashkimi i të rinjve dhe ndërkombëtarizimi i aktivitetit në emër të figurës heroike të Agim Ramadanit – “Katana”, një prej figurave më të lavdishme të historisë sonë kombëtare.
Të gjitha përgatitjet tashmë janë finalizuar në Palestrën e Sportit në Dardanë, ku pritet një atmosferë madhështore dhe pjesëmarrje e madhe e qytetarëve, sportdashësve dhe mysafirëve nga vende të ndryshme.
Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët që të jenë pjesë e këtij manifestimi sportiv e patriotik.
📍 Lokacioni: Salla e Sportit – Kamenicë
🗓️ Data: E diel, 3 maj 2026
🕙 Ora: 10:00

