Policia e Kosovës ka apeluar qytetarët për kujdes të shtuar nga mashtrimet dhe keqpërdorimet e llogarive bankare përmes formave të ndryshme të komunikimit.
Policia i ka ftuar qytetarët për bashkëpunim të vazhdueshëm me qëllim të rritjes së sigurisë dhe parandalimin e mashtrimeve dhe keqpërdorimeve.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut njofton qytetarët se kohëve të fundit është vërejtur rritje e rasteve të mashtrimeve dhe keqpërdorimeve të llogarive bankare përmes formave të ndryshme të komunikimit, përfshirë mesazhe SMS, thirrje telefonike dhe platforma online.
Personat e dyshuar, duke u paraqitur rrejshëm në emër të institucioneve financiare apo kompanive të ndryshme, kërkojnë nga qytetarët të dhëna personale si numri i kartelës bankare, kodin, fjalëkalime me qëllim të përfitimit të mashtrimit dhe përfitimit të kundërligjshëm”, ka njoftuar policia.

