Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda deklaron se sot ka pranuar në trajtim një informacion lidhur me një kanosje të adresuar ndaj kryeministrit Albin Kurti, në rrjetet sociale nga profili i quajtur “Severna Brigada”, e njohur edhe si “Brigada e Veriut”.
Policia bën me dije se, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, menjëherë janë ndërmarrë veprime intensive hetimore, me mbështetjen edhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
“Nga hetimet e kryera është konstatuar se kanosja është publikuar përmes llogarisë facebook.com/severna.brigada.2025.
Bazuar në të dhënat e siguruara, postimi është bërë nga territori i Republikës së Serbisë, konkretisht nga qyteti i Kralevës në Republikën e Serbisë. Me këtë rast janë identifikuar IP-adresa e përdorur dhe të dhënat personale të përdorura gjatë regjistrimit” thuhet në njoftimin e PK-së.
Nga analizat e kryera nga njësitë kompetente janë identifikuar të dhëna shtesë që mund të ndihmojnë në hetimin intensiv të mëtejshëm nga Policia e Kosovës dhe PSRK-ja.
Kujtojmë se “Brigada e Veriut” është organizatë e cila nga institucionet e Republikës së Kosovës është shpallur organizatë terroriste.

