Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se është njoftuar nga zyra e partisë që në listën e kandidatëve për deputetë do të renditet në numrin 12 për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Në një reagim në Facebook, Bajrami ka thënë se është vendosur pas disa personave që, sipas saj, më herët e kanë kundërshtuar LDK-në, por thekson se kjo nuk përbën problem për të.
Ajo ka deklaruar se angazhimi i saj politik nuk lidhet me renditjen në listë apo me përfitime personale, por me kauzën politike që ajo përfaqëson.
“Jam pjesë e listës së LDK-së, sepse LDK-ja është më e madhe se çdo individ, më e madhe se çdo rrethanë dhe më e madhe se ata që vijnë e shkojnë. Nga zyra e LDK-së me është kumtuar se në listë unë jam me numër 12, pas njerëzve që deri dje e kanë luftuar LDK-në, por kjo për mua personalisht s’paraqet asnjë problem, sepse beteja ime nuk është për renditje as për fitore personale”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka rikujtuar se është pjesë e LDK-së prej vitesh dhe se ka shërbyer si deputete për shtatë mandate, duke theksuar se nuk e ka parë asnjëherë partinë si një angazhim të përkohshëm politik.
“Prej se jam në politikë, e zgjedhur deputete shtatë herë, kam qenë, jam dhe do të jem në LDK. Kam qenë këtu në ditë të mira e në ditë të vështira. Nuk e kam braktisur LDK-në për interesa personale dhe nuk e kam parë asnjëherë si stacion të përkohshëm politik”, ka shtuar ajo.
Sipas Bajramit, renditja në listë nuk ndikon në angazhimin e saj politik, i cili, siç thotë ajo, fokusohet në forcimin e shtetit të Kosovës, demokracisë dhe institucioneve.
“Beteja ime është për një Kosovë që nuk i nënshtrohet arrogancës së pushtetit; për politikën që i shërben qytetarit e jo interesave personale; për demokracinë që nuk tkurret; për qytetarin që kërkon llogari nga qeveria; për biznesin që nuk pengohet nga politika dhe për institucione që nuk kapen nga partitë. Kauza ime është Kosova shtet i fortë dhe këtë kauzë mund ta çojë përpara vetëm LDK-ja, me njerëzit e saj, LDK-ja që i mbron parimet e veta dhe nuk harron pse ekziston”, ka theksuar ajo.
Në fund të deklaratës së saj, Bajrami u ka bërë thirrje qytetarëve dhe simpatizantëve të LDK-së që të analizojnë listën prej 110 kandidatëve dhe të votojnë sipas bindjes së tyre në zgjedhjet e 7 qershorit, duke mbështetur LDK-në.
“Të nderuar qytetarë, votues dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lista e LDK-së ka 110 kandidatë. Në mesin e tyre, secili prej jush mund t’i gjejë me lehtësi 10 personalitete, të denjë për t’ju përfaqësuar. Andaj, analizojeni listën dhe më 7 qershor votoni me bindje – votoni LDK”, ka përfunduar Bajrami.

