Komisioni i Pavarur për Media (KPM) organizoi në Prishtinë një tryezë diskutimi me ofruesit e shërbimeve mediale audio dhe audiovizuele të licencuara nga KPM-ja, me fokus zbatimin e obligimeve ligjore gjatë procesit zgjedhor dhe prezantimin e Raportit të Hulumtimit të Tregut Medial.
Në hapje të takimit, Kryetari i KPM-së, z. Besnik Berisha, theksoi se roli i KPM-së si autoritet i pavarur rregullator është garantimi i respektimit të ligjshmërisë, standardeve profesionale dhe balancës në raportimin medial gjatë proceseve zgjedhore, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe integritetit demokratik të zgjedhjeve.
Gjatë tryezës, zyrtarët e KPM-së prezantuan obligimet ligjore të mediave gjatë fushatës zgjedhore, dispozitat e Rregullores së KPM-së Nr. 2024/03, si dhe parimin e trajtimit të barabartë të subjekteve politike të certifikuara. Po ashtu, u diskutua për orarin dhe kufizimet ligjore për mbulimin dhe reklamimin politik, respektimin e heshtjes zgjedhore, kriteret për publikimin e sondazheve të opinionit publik, si dhe formatin e ri të ditarëve zgjedhorë, i cili synon lehtësimin e raportimit nga ana e mediave.
Në kuadër të takimit u prezantuan edhe gjetjet nga monitorimi i katër fushatave zgjedhore gjatë vitit 2025, duke evidentuar shkeljet më të shpeshta gjatë mbulimit medial të proceseve zgjedhore dhe rëndësinë e respektimit të standardeve profesionale dhe ligjore.
Pjesëmarrësve iu prezantua gjithashtu Raporti i Hulumtimit të Tregut Medial, i realizuar për nevoja të KPM-së nga D&D Business Support Center, i cili ofron një pasqyrë të zhvillimeve, sfidave dhe trendeve aktuale në sektorin medial në Republikën e Kosovës.
Takimi vijoi me diskutime ndërmjet përfaqësuesve të KPM-së dhe mediave lidhur me zbatimin praktik të kornizës ligjore gjatë periudhës zgjedhore, funksionimin e mediave lokale dhe rajonale, si dhe nevojën për avancimin e standardeve profesionale dhe rritjen e besueshmërisë së publikut në proceset zgjedhore.
Ky takim, sikurse edhe aktivitetet e tjera të organizuara nga KPM-ja me mediat e licencuara, u realizua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me sektorin medial, me synim avancimin e standardeve profesionale të raportimit dhe forcimin e besueshmërisë së publikut në proceset zgjedhore dhe integritetin zgjedhor.
#KPM #Media #Zgjedhjet #Kosova #RregullimiIMediave #IntegritetiZgjedhor

