Kolonel Nevzad Asllani u lind më 20 prill 1971 në fshatin Lajçiq, Komuna e Kamenicës. Arsimin fillor e përfundoi në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në Gjilan. Studimet universitare i nisi në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Prishtinë, por ato iu ndërprenë për shkak të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në ish-Armatën Jugosllave. Pas përfundimit të luftës, ai i përmbylli studimet universitare, duke diplomuar në fushën e Menaxhimit të Emergjencave Civile.
Angazhimin e tij politik dhe kombëtar e nisi qysh në rini të hershme, si nxënës i shkollës së mesme, duke marrë pjesë aktive në demonstratat gjithëpopullore të nëntorit 1988 dhe marsit 1989. Në vitin 1991 iu bashkua Partisë së Unitetit Kombëtar (UNIKOMB), subjekt politik i udhëhequr fillimisht nga Halil Alidemaj dhe më pas nga Ukshin Hoti. Më 31 korrik 1994, nën masa të shtuara policore, shtëpia e tij u rrethua dhe ai u arrestua së bashku me babain e tij, nën akuzën për organizim të armatosur, në përputhje me platformën e rezistencës aktive të kohës.
Së bashku me dy vëllezërit e tij, iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku mori pjesë aktive në luftë deri në çlirimin e Kosovës. Pas luftës, Kolonel Asllani u angazhua në proceset e rëndësishme të periudhës së pasluftës, duke kontribuar në demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së. Ai shërbeu si koordinator me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM), duke qenë përgjegjës për zbatimin e projekteve humanitare në ndihmë të komunitetit.
Karrierën ushtarake e vazhdoi në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), ku u emërua shef i Qendrës Operative në Zonën e Gjashtë të Mbrojtjes, me gradën major. Këtë detyrë e ushtroi me profesionalizëm të lartë, duke u vlerësuar me mbi dhjetë mirënjohje dhe lëvdata nga udhëheqja e TMK-së dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe KFOR-in amerikan në Bondsteel.
Me themelimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjatë periudhës 2009–2026, ai ushtroi një sërë detyrash në nivele taktike, operacionale dhe strategjike. Gjatë karrierës së tij në FSK, ka përfunduar dy kolegje pasuniversitare në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, ai ka ndjekur dhjetëra trajnime dhe aktivitete profesionale brenda dhe jashtë vendit.
Më 20 prill të këtij viti, Kolonel Nevzad Asllani e përmbylli me sukses dhe dinjitet shërbimin aktiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Sot, ai i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidon për deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, me synimin që përvojën e tij ushtarake, institucionale dhe kombëtare ta vërë në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.










