Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nëntë Qendra Komunale të Numërimit kanë përfunduar numërimin e votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimin e rezultateve të subjekteve politike, ndërsa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës.
Sipas njoftimit të bërë të martën nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, deri në orën 16:00 janë përmbyllur këto procese në nëntë komuna.
“Ju njoftojmë se deri më tani (e martë, 9 qershor 2026, ora 16:00) është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve, në 9 Qendra Komunale të Numërimit”, tha Elezi, raporton eo.
Sipas tij, komunat që kanë përfunduar këto aktivitete janë Juniku, Shtërpca, Hani i Elezit, Parteshi, Mamusha, Zubin Potoku, Zveçani, Kllokoti dhe Novobërda. Ndërkohë, procesi i numërimit dhe verifikimit po vazhdon në 29 qendra të tjera komunale të numërimit.
“Sipas të dhënave deri më tani (9 qershor 2026, ora 16:00) numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që i takojnë 38 QKN-ve, është 902 nga 2,498 vendvotime apo mbi 36%”, bëri të ditur Elezi.
Ai njoftoi gjithashtu se pas përfundimit të numërimit në komuna, materialet zgjedhore po dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku do të nisë skanimi i listave të votuesve.
“Në QNR së shpejti do të fillojë skanimi i Listës së Votuesve nga vendvotimet e rregullta nga disa prej komunave që tashmë kanë përfunduar punën QKN dhe që kanë dorëzuar materialin zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Skanimi i listës së votuesve që është përdorur në vendvotime është i domosdoshëm para se të fillohet me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse i ndihmon KQZ-së të sigurohet se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht”, deklaroi ai.
Sa i përket votimit nga diaspora, Elezi tha se është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete dhe në Kosovë.
“Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime është bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë”, tha ai.
Sipas Elezit, tashmë ka nisur vlerësimi i këtyre pakove në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Gjatë pasdites së sotme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ ka filluar me vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës. Pakot që aprovohen do të përfshihen në procesin e numërimit, pas disa ditësh”, deklaroi ai.
Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, numri më i madh i pakove të tërhequra është nga Berlini me 41,561 pako, pasuar nga Berna me 23,356, Stokholmi me 4,633 dhe Parisi me 3,470 pako me fletëvotime.

