Përkundër apeleve të policisë, që në këtë periudhë kohore kur ahengjet janë më të shumta, ata që kanë gëzime të festojnë me zemër e jo me armë, në statistikat policore të Rajonit të Gjilanit ,vazhdojnë të regjistrohen raste kur “kris” arma në ajër, për t’u shprehur kështu një lloj gëzimi a kënaqësie!
Fatmirësisht, në rastet më të fundit, nuk raportohet për të lënduar, ani se në të kaluarën ka pasur edhe raste të tilla. Për hir të sigurisë, policia ka apeluar disa herë dhe ka treguar se nuk do të ketë tolerancë dhe do të reagojë, megjithatë raste të tilla po regjistrohen akoma, por edhe reagimet e policisë janë të shpejta.
Rasti më i ri, sipas autoriteteve policore është regjistruar në fshatin Smirë të Vitisë, ku ëhtë arrestuar i dyshuari, mashkull K-shqiptar, pasi që i njëjti, në një aheng familjar, ka shtënë në ajër me armë zjarri.
“Arma AK-47 pa municion është konfiskuar, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet n raportin policor.