FC Drita ka mësuar kundërshtarin e mundshëm për raundin e dytë kualifikues të UEFA Champions League, në rast se arrin të kalojë me sukses pengesën e parë, FK Kauno Žalgiris nga Lituania.
Sipas shortit të hedhur nga UEFA, kampionia e Kosovës do të përballet me fituesin e çiftit mes KÍ Klaksvík nga Ishujt Faroe dhe FC Attert Bissen nga Luksemburgu, nëse siguron kualifikimin ndaj skuadrës lituaneze.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi gjilanas përmes një komunikate zyrtare, duke theksuar se fokusi mbetet te përballja e parë dhe objektivi për të vazhduar rrugëtimin evropian.
“Ëndrra vazhdon. Të fokusuar, të bashkuar dhe të gatshëm për çdo sfidë”, thuhet në reagimin e klubit.
Drita synon një tjetër paraqitje dinjitoze në arenën ndërkombëtare, ndërsa tifozët presin me optimizëm sfidat që e presin kampionen e Kosovës në garën më prestigjioze për klube në Evropë.

