Ish-kryetari i Kuvendit Komunal dhe aktualisht këshilltar komunal nga Partia “Vatra”, Kushtrim Kadriu, ka deklaruar zyrtarisht se do ta mbështesë propozimin për ndërtimin e deponisë inerte në fshatin Malishevë të Gjilanit.
Ky qëndrim pritet të ndryshojë balancat në vendimmarrjen e kuvendit, i cili po përballet me një klimë të polarizuar politike dhe paqartësi nëse projekti do të sigurojë votat e mjaftueshme.
Argumenti i interesit publik dhe refuzimi i lokalizmit
Kadriu u shpreh pro realizimit të projektit, duke argumentuar se zhvillimi i komunës nuk duhet të bllokohet nga interesa të ngushta territoriale. Në deklaratën e tij të plotë, ai theksoi:
“Jam pro ndërtimit të deponisë në fshatin Malishevë dhe do ta votoj si propozim. Së pari, deponia duhet të ndërtohet diku dhe logjika që çdo fshat të mos pranojë projekte të rëndësishme për komunën është një qasje refuzuese dhe mosrespektuese ndaj institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike.
Sipas tij, institucionet e zgjedhura mbajnë legjitimitetin dhe përgjegjësinë e plotë për të ndërmarrë vendime që ndikojnë në progresin e të gjithë mjedisit komunal, përtej kundërshtimeve specifike të një lokaliteti.
“Gjithashtu, duke marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve në Malishevë, ku shumica e votuesve kanë mbështetur Vetëvendosjen dhe z. Alban Hysenin, si udhëheqës i ekzekutivit komunal ai ka të drejtën ligjore dhe legjitimitetin demokratik të propozojë projekte dhe ide për zhvillimin e komunës, pasi qytetarët ia kanë besuar këtë detyrë med votën e tyre.
Po ashtu, në zgjedhjet e fundit Malisheva i dha mbi 600 vota Vetëvendosjes. Kjo tregon se një numër i konsiderueshëm i banorëve kanë shprehur besimin e tyre në politikat qeverisëse që ajo përfaqëson”. shtoi ai.
Debati në Kuvendin Komunal mbetet i hapur
Çështja e deponisë ka nxitur diskutime të ashpra mes përfaqësuesve të subjekteve të ndryshme politike dhe banorëve lokalë, ku shumë prej tyre kanë ngritur dyshime serioze rreth lokacionit dhe ndikimit mjedisor të projektit.
Deklarata e Kadriut vjen si një mbështetje e rëndësishme për ekzekutivin, megjithatë mbetet ende e pasigurt nëse kjo frymë do të arrijë të thyejë rezistencën e pjesës tjetër të opozitës dhe të sigurojë miratimin përfundimtar në seancat e radhës të Kuvendit Komunal të Gjilanit.

