Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka reaguar ashpër lidhur me fillimin e punimeve në projektin e Bulevardit “Ibrahim Rugova”, duke e kundërshtuar mënyrën e realizimit të tij dhe duke ngritur shqetësime për mungesë të dokumentacionit urbanistik dhe ligjor.
Haziri ka deklaruar se projekti është duke u zhvilluar “pa leje, pa plan urban dhe pa plan zhvillimor”, duke theksuar se qyteti ka mbetur për vite pa zgjidhje të zonimit urban.
Sipas tij, institucionet përgjegjëse duhet të ndërhyjnë menjëherë për të verifikuar ligjshmërinë e punimeve.
“Bulevardi Ibrahim Rugova, me mushkëritë e tij, u masakrua pa leje, pa plan urban dhe pa plan zhvillimor, e tash e pesë vite pa mundësi të zonimit. Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë! Komuna po trajtohet si çiflig”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka kritikuar edhe mungesën e realizimit të disa projekteve të tjera infrastrukturore në qytet, përfshirë autostradën, stadiumin dhe disa rrugë kryesore, si dhe projektet për kolektorët dhe impiantin e ujërave të zeza.
Haziri theksoi se, sipas tij, projektet e njohura si “Projektet e Lutës” kanë siguruar 178 milionë euro financim nga institucione ndërkombëtare, por nuk janë zbatuar për shkak të mungesës së vullnetit dhe kapaciteteve institucionale.
“Fatkeqësisht, mungesa e dijes dhe e vullnetit për t’i zbatuar po i mban këto projekte peng dhe po e privon Gjilanin nga zhvillimi që meriton”, u shpreh ai.
Në fund të reagimit të tij, Haziri theksoi se “Gjilani i takon qytetarëve”, duke kundërshtuar mënyrën aktuale të menaxhimit të projekteve komunale.

