Drita ka realizuar një tjetër lëvizje të rëndësishme në afatin kalimtar të verës, duke siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit Altin Bytyçi.
Gazeta Olle mëson ekskluzivisht se mbrojtësi, i cili së fundmi ishte pjesë e Partizanit të Tiranës, ka arritur marrëveshje me kampionët e Kosovës dhe tashmë ka nënshkruar kontratën me klubin gjilanas.
Pas largimeve të rëndësishme në repartin defensiv dhe problemeve me lëndime që kanë prekur skuadrën, drejtuesit e Dritës kanë reaguar shpejt në treg, duke afruar një futbollist me përvojë dhe cilësi të dëshmuara. Bytyçi konsiderohej një nga emrat më të kërkuar në tregun rajonal të transferimeve dhe ardhja e tij shihet si një përforcim i madh për ekipin bardhekaltër.
Drita nuk pritet të ndalet me kaq. Burime të Gazetës Olle bëjnë të ditur se klubi është duke punuar edhe në afrimin e disa futbollistëve të tjerë, me synimin që trajneri ta ketë skuadrën sa më të kompletuar para përballjes së rëndësishme ndaj Žalgiris në garat evropiane.
Me transferimin e Altin Bytyçit, Drita dërgon një mesazh të qartë se synimet e saj mbeten të mëdha, si në arenën vendore ashtu edhe në atë ndërkombëtare.

