Asambelisti nga radhet e LDK-së në Gjilan, Muhadin Haziri ka reaguar publikisht lidhur me pretendimet se largimi i disa pikave nga rendi i ditës në Kuvendin Komunal të Gjilanit është bërë si rezultat i presioneve individuale apo politike. Përmes një sqarimi për opinionin publik, ai ka theksuar se vendimi për dhënien në shfrytëzim të hapësirave komunale ishte miratuar me shumicë votash nga Kuvendi Komunal, por më pas është vlerësuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila ka konstatuar se nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas Hazirit, të gjithë anëtarët e Kuvendit e kanë votuar këtë vendim duke u bazuar në propozimin për shfrytëzim 15-vjeçar, ndërsa ka mohuar kategorikisht se tërheqja e çështjes nga procedurat e mëtejshme lidhet me presione të ushtruara nga individë të caktuar. Ai ka theksuar se vetëm pika që kishte të bënte me lokacionin e deponisë inerte është larguar nga rendi i ditës pas kundërshtimeve dhe shqetësimeve të ngritura nga banorët e fshatit Malishevë dhe përfaqësues të komunitetit lokal.

