Drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit në Komunën e Gjilanit, Kushtrim Ibrahimi, ka reaguar ndaj raportimeve dhe postimeve që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale lidhur me një konflikt të pretenduar mes tij dhe disa asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Përmes një sqarimi publik, Ibrahimi ka mohuar kategorikisht se ka pasur konflikt fizik apo përplasje personale me ndonjë asamblist gjatë seancës së Kuvendit Komunal, duke theksuar se pretendimet e publikuara nuk pasqyrojnë realitetin e ngjarjes.
Sipas tij, gjatë zhvillimit të seancës së rregullt të Kuvendit Komunal, një grup asamblistësh të PDK-së kanë tentuar të pengojnë vazhdimin normal të punimeve, duke kërkuar ndërprerjen e seancës dhe duke ushtruar presion pranë foltores së kryesueses së Kuvendit.
“Në atë situatë, unë dhe kolegët e mi jemi afruar vetëm për të ndihmuar në rikthimin e rendit dhe për të mundësuar vazhdimin normal të seancës”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e Komunës së Gjilanit, drejtorët komunalë dhe asamblistët, duke pranuar se ngjarja e ndodhur nuk ka qenë e hijshme, por duke insistuar se ajo po paraqitet në mënyrë të pasaktë nga disa media dhe platforma sociale.
Ibrahimi ka bërë të ditur se pas përfundimit të seancës ka biseduar me asamblistin e përfshirë në situatë dhe se të dy palët kanë shprehur mirëkuptim të ndërsjellë për rrethanat e krijuara.
“Në fund të videos shihet edhe përshëndetja pas përfundimit të seancës, gjë që dëshmon se nuk ka pasur asnjë konflikt personal apo fizik”, thuhet në reagimin e tij.
Drejtori i Shërbimeve Publike ka përfunduar reagimin duke u distancuar nga të gjitha interpretimet që, sipas tij, deformojnë ngjarjen dhe krijojnë një perceptim të gabuar në opinionin publik./Radio Star/

