“Gjilani i së ardhmes” – por a po e humbim Gjilanin që e njohim?
Jam lindë dhe jam rritë në Gjilan. Për mu, ky qytet nuk janë vetëm rrugët, lagjet apo ndërtesat. Janë kujtimet e fëmijërisë, vendet ku jemi taku, ku kemi lujtë, ku kemi festu e ku janë kriju kujtimet e mijëra familjeve.
Prandaj, kur shoh një projekt që e ndryshon rrënjësisht pamjen e qendrës së qytetit, nuk mundem me e pa vetëm si arkitekt apo si projektues. E shoh edhe si qytetar, si gjilanas.
Një qytet nuk është vetëm beton, asfalt dhe xham. Një qytet ka identitet. Ka histori. Ka kujtesë kolektive. Kur ndryshohet zemra e qytetit, nuk ndryshon vetëm arkitektura – rrezikon me u humbë edhe një pjesë e identitetit tonë.
Nuk jam kundër zhvillimit. Përkundrazi. Por zhvillimi duhet me e respektu historinë e qytetit, karakterin e tij dhe kujtesën kolektive të njerëzve që jetojnë në të.
Prandaj besoj se qytetarët meritojnë përgjigje për disa pyetje themelore:
▪️Cili është problemi konkret që ky projekt synon me e zgjidhë?
▪️A është hartuar një studim i fizibilitetit? Nëse po, pse nuk publikohet?
▪️A është bërë analizë e kostos dhe përfitimit (Cost-Benefit Analysis)?
▪️Sa është vlera totale e projektit dhe a ekziston rreziku i rritjes së kostove gjatë realizimit?
▪️Sa do të kushtojë mirëmbajtja e nënkalimit çdo vit?
▪️A është analizuar ndikimi në komunikacion gjatë dhe pas ndërtimit?
▪️A janë konsultuar urbanistë, arkitektë, inxhinierë të komunikacionit dhe qytetarët para miratimit të projektit?
▪️A do të ndikojë ky projekt pozitivisht në bizneset e qendrës apo do t’i dëmtojë ato?
▪️Përse ndërtohet një objekt i ri i komunës, kur qyteti po zgjerohet në katër pole dhe decentralizimi i administratës mund të ishte një zgjidhje më funksionale?
▪️A janë shqyrtuar variante të tjera me kosto më të ulët dhe efekt më të madh?
▪️Si do të duket funksionimi i qendrës pas 10 apo 20 vitesh? A është menduar për brezat e ardhshëm?
Pyetjet nuk janë pengesë për zhvillimin. Ato janë pjesë e demokracisë dhe e përgjegjësisë ndaj parasë publike.
Qytetet moderne nuk ndërtohen duke fshi kujtesën e tyre. Ato ndërtohen duke e respektu të kaluarën dhe duke planifiku të ardhmen.
Sepse, nëse e humbim identitetin e qytetit, rrezikojmë me humbë edhe një pjesë të vetvetes.
#RadioStar #gjilan #Komuna #lumipress

