Kanë filluar punimet për asfaltimin e rrugës “Hamdi Kurteshi” në Gjilan, një nga projektet infrastrukturore më të përmendura të Komunës së Gjilanit, me vlerë rreth 2.4 milionë euro.
Ky projekt, i cili pritet të ndikojë dukshëm në përmirësimin e qarkullimit dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në këtë aks të rëndësishëm rrugor, tashmë ka hyrë në fazën e asfaltimit, duke shënuar një hap konkret drejt përfundimit të tij.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka deklaruar se fillimi i punimeve për asfaltim është një dëshmi e ecurisë së duhur të projekteve infrastrukturore në qytet, duke theksuar se investimet publike po marrin drejtimin e duhur në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.
Sipas autoriteteve komunale, përfundimi i këtij projekti pritet të sjellë përmirësime të dukshme në qarkullimin rrugor, sigurinë dhe qasjen më të lehtë në këtë pjesë të qytetit.
Punimet janë duke vazhduar dhe pritet të finalizohen sipas dinamikës së paraparë nga kontraktuesi dhe komuna./Radio Star/

