Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Gjilan ka vendosur të anulojë konkursin e brendshëm për transferimin e stafit arsimor, një vendim që ka ngjallur reagime dhe pikëpyetje nga kandidatët e përfshirë në proces.
Sipas vendimit të siguruar, DKA në Gjilan ka arsyetuar anulimin me nevojën për rishqyrtim të rrethanave dhe kërkesave aktuale të institucioneve arsimore. Në dokument theksohet se plotësimi i vendeve të punës do të bëhet përmes konkurseve të hapura dhe publike, duke synuar ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret ligjore.

“Pas shqyrtimit të rrethanave dhe nevojave aktuale të institucioneve arsimore, është vendosur anulimi i konkursit për transferimin e stafit. Plotësimi i vendeve të punës do të realizohet përmes procedurave të hapura dhe publike, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi,” thuhet në arsyetimin e vendimit.
Megjithatë, ky vendim ka ngritur shqetësime tek disa kandidatë, të cilët e konsiderojnë të paqartë dhe të padrejtë anulimin e konkursit në këtë fazë të procesit, duke kërkuar më shumë transparencë nga drejtoria përkatëse.
Ata thonë se një vendim i tillë krijon paqartësi rreth procesit të transferimeve dhe ndikimit të tij në punësimin e stafit ekzistues në sistemin arsimor në Gjilan./Radio Star/

