Një tentim grabitjeje në një argjendari në Gjilan ka përfunduar me arrestimin e një 19-vjeçari, falë reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës. I dyshuari u lokalizua dhe u arrestua vetëm pak kohë pas incidentit, ndërsa gjatë aksionit policor u sekuestruan një armë zjarri (revole) dhe një motoçikletë që dyshohet se ishte përdorur në rast.
Lidhur me rastin, togeri Ismet Hashani ka konfirmuar për Radio Star se i dyshuari është arrestuar nga hetuesit e Stacionit Policor në Gjilan, ndërsa më pas Policia e Kosovës ka publikuar edhe komunikatën zyrtare me detaje shtesë.
Sipas komunikatës së Policisë, rreth orës 14:09, si rezultat i veprimeve të shpejta operative, hetuesit kanë arritur të identifikojnë, lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, shtetas të Kosovës, i lindur në vitin 2007. Ai dyshohet për përfshirje në veprën penale “Grabitje në tentativë” në një lokal argjendarie në Gjilan.
Gjatë arrestimit janë sekuestruar një revole dhe motoçikleta që dyshohet se është përdorur gjatë tentim-grabitjes. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

