Tre persona janë arrestuar pas një përleshjeje fizike në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, rasti ka ndodhur më 14 korrik 2026, rreth orës 16:36, gjatë patrullimit të rregullt të zyrtarëve policorë në këtë zonë.
“Me ndërhyrjen e menjëhershme të policisë në vendin e ngjarjes janë arrestuar tre persona të dyshuar si të përfshirë në këtë incident”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka bërë të ditur se, sipas hetimeve fillestare, gjatë përleshjes dyshohet se të dyshuarit kanë poseduar edhe një mjet të mprehtë, përkatësisht thikë.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe krim-teknika, të cilat kanë kryer veprimet e nevojshme procedurale”, ka shtuar zëdhënësi i Policisë.
Osmani ka njoftuar se nuk raportohet për persona të lënduar nga rrahja apo nga përdorimi i mjetit të mprehtë. Megjithatë, për shkak të shqetësimeve, dy nga personat e përfshirë kanë pranuar trajtim mjekësor.
Hetuesit policorë nga Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Gjilan, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdojnë hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit./Reporteri.net/

