Mesfushori i Dritës, Igball Jashari, e shënoi ditëlindjen e tij në mënyrën më të veçantë, duke realizuar gol në përballjen ndaj Kauno Zalgiris në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas golit, Jashari bëri me shenjë drejt tatuazhit të tij, duke treguar se realizimin ia dedikonte familjes heroike Jashari. Gjesti i tij u prit me duartrokitje nga tifozët e pranishëm në stadium.
Pavarësisht eliminimit të Dritës nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve, Jashari ishte ndër lojtarët më të dalluar në fushë, duke zhvilluar një paraqitje të nivelit të lartë.
Në fund të ndeshjes, ai e përmbylli emocionin me një tjetër gjest simbolik, duke bërë përshëndetjen ushtarake, një festim që tërhoqi vëmendjen e tifozëve.

