Komuna e Kamenicës ka njoftuar se është anuluar ceremonia hapëse e festivalit “Kamenica Summer Fest 2026”, e cila ishte planifikuar të mbahej sonte.
Vendimi është marrë nga kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, pas ndarjes nga jeta të profesorit Petrit Kallaba, në shenjë respekti dhe solidarizimi me familjen e të ndjerit.
Përmes një njoftimi zyrtar, Komuna bën të ditur se ceremonia nuk do të zhvillohet sipas agjendës së paraparë, ndërsa data e re e hapjes dhe organizimi i aktiviteteve të tjera në kuadër të festivalit do të bëhen të ditura me kohë përmes kanaleve zyrtare.
“Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen Kallaba, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën profesor Petritin”, thuhet në njoftimin e kryetarit Kadri Rahimaj.
Komuna ka bërë të ditur se qytetarët do të informohen në ditët në vijim për datën e re të ceremonisë hapëse dhe vazhdimin e programit të “Kamenica Summer Fest 2026”.

