Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka hedhur poshtë pretendimet e publikuara në një pjesë të mediave se aksidenti tragjik në autostradën PKK Bllacë–Shkup, ku humbën jetën tre persona, ishte paraprirë nga një ndjekje prej një automjeti që ishte paraqitur rrejshëm si polici.
Në reagimin e saj, MPB i cilësoi këto raportime si të pavërteta dhe spekulative, duke u bërë thirrje mediave dhe qytetarëve të mos përhapin informacione të paverifikuara.
“Apelojmë që të mos përhapen dezinformata. As nuk është evidentuar një dukuri e tillë dhe as nuk ka ndonjë denoncim për të ashtuquajturën ‘polici e rreme’. Organet hetimore do ta zbardhin shkakun që ka çuar në këtë aksident trafiku”, thuhet në komunikatën e MPB-së.
Ministria theksoi se deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast apo kallëzim që lidhet me pretendimet për një automjet që është paraqitur si pjesë e policisë.
Autoritetet njoftuan se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në aksidentin me pasoja fatale janë duke vazhduar.

