Kosovën e ka përcjellë një javë me bilanc të rëndë në komunikacion. Brenda pak ditësh, në disa aksidente të ndodhura në vende të ndryshme kanë humbur jetën nëntë persona.
Një nga rastet më të rënda të javës u regjistrua në Maqedoninë e Veriut, ku tre qytetarë të Kosovës humbën jetën në një aksident tragjik.
Një tjetër aksident me pasoja fatale ndodhi në Istog, ku dy persona humbën jetën. Rasti riktheu shqetësimet për gjendjen e sigurisë në rrugët e Kosovës dhe për faktorët që çojnë në aksidente të rënda.
Gjatë kësaj jave u raportuan edhe raste të tjera tragjike në komunikacion.
Në afërsi të Komoranit, një person humbi jetën në një vetaksident, ndërsa tre persona të tjerë mbetën të lënduar.
Në Shirokë të Suharekës, një 52-vjeçar ndërroi jetë pas një vetaksidenti, ndërsa në një rast tjetër, një grua humbi jetën disa ditë pas një aksidenti të rëndë në Mitrovicë.
Sot, një tjetër viktimë iu shtua këtij bilanci pas aksidentit fatal në Studime të Vushtrrisë, ku një grua humbi jetën, ndërsa disa persona të tjerë u lënduan. Sipas dyshimeve fillestare, aksidenti lidhet me ngasjen në gjendje të dehur, ndërsa Prokuroria ka nisur procedurat hetimore ndaj personit të dyshuar.
Shpejtësia, moskujdesi gjatë ngasjes, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit dhe mosrespektimi i rregullave të komunikacionit vazhdojnë të konsiderohen ndër faktorët kryesorë që shkaktojnë aksidente me pasoja të rënda.
Policia e Kosovës vazhdimisht kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga ana e drejtuesve të automjeteve, respektim të kufizimeve të shpejtësisë dhe shmangie të çdo sjelljeje që mund të rrezikojë jetën në rrugë.

