Me shumë kënaqësi, sot në Federatën e Futbollit të Kosovës prita futbollistin e talentuar të Akademisë së Hertha BSC, Leonis Elezaj, 11 vjeç, i shoqëruar nga babai i tij dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti.
Gjatë qëndrimit të tyre për pushime në Kosovë, ata vizituan FFK-në, ku pata kënaqësinë t’i mirëpres dhe të bisedojmë për rrugëtimin e Leonisit. Edhe pse në moshë shumë të re, ai tashmë po dëshmon talent, disiplinë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm në një prej akademive më prestigjioze të futbollit gjerman, duke ndërtuar me hapa të sigurt një të ardhme premtuese.
Gëzohem pa masë kur shoh talentet tona duke u zhvilluar në akademi të njohura evropiane, por mbi të gjitha më bën krenar fakti që prindërit e tyre po ua kultivojnë dashurinë për atdheun dhe po i mbajnë të lidhur ngushtë me Kosovën. Kjo ndjenjë identiteti dhe përkatësie është një vlerë e çmuar, që duhet të ruhet e të përcillet brez pas brezi.
Leonisit i uroj shëndet, suksese dhe një rrugëtim sa më të suksesshëm në futboll. Jam i bindur se me punë, përkushtim dhe mbështetjen e familjes, ai do të vazhdojë të na bëjë krenarë.

