Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e sotme, do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Sipas MIT-së, në autoudhë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperatura e parashikuar plotëson kushtin prej 32°C ose më shumë.
Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi lejohet pa kufizime.
Nga kufizimi përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
“Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar” deklaron Ministria.

