Në qendrën e komunitetit “Oda e Fshatit” në Shipashnicë të Epërme u mbajt takimi i parë i konsultimit publik për projektin e Digës së re Multifunksionale në Desivojcë, një nga investimet më të rëndësishme strategjike për të ardhmen e Kamenicës dhe rajonit të Anamoravës.
Takimi u zhvillua në kuadër të procesit të Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor dhe Social (VNMS), organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes Projektit FLOWS, me pjesëmarrje fizike dhe online të qytetarëve, institucioneve publike, ekspertëve dhe palëve të interesit.
Në këtë takim morën pjesë Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ekspertë të projektit, përfaqësues të Bankës Botërore, inxhinierë të hidroteknikës dhe banorë të zonës.
Kryetari Kadri Rahimaj theksoi se për Digën e Desivojcës është diskutuar ndër vite, por tashmë po shihen rezultatet konkrete të punës së bërë për realizimin e këtij investimi madhor të cilin e cilësoi si një nga projektet më kapitale për Kamenicën.
“Ky projekt paraqet një moment të rëndësishëm për të ardhmen e komunës dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve. Edhe pse ndër vite është folur shumë për Digën e Desivojcës vetëm tani po shohim rezultatet e para konkrete të punës së bërë. Ky nuk është vetëm një investim infrastrukturor por një ndërhyrje që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e furnizimit me ujë, zhvillimin e bujqësisë dhe perspektivën ekonomike të Kamenicës. Ndikimi i tij do të jetë shumë më i gjerë sesa vetë lokacioni ku do të ndërtohet”, tha Kryetari Rahimaj.
Ai më tej vlerësoi bashkëpunimin me institucionet qendrore dhe partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se mbështetja e tyre ka qenë vendimtare për avancimin e këtij projekti strategjik.
“Si komunë nuk kemi pasur mundësi juridike apo financiare për të realizuar projekte të kësaj madhësie por falë mbështetjes së institucioneve të nivelit qendror, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bankës Botërore dhe partnerëve ndërkombëtarë sot po ecim përpara drejt realizimit të një projekti strategjik për gjithë rajonin. Jam i bindur se nëse vazhdojmë sipas planit të paraparë do të arrijmë qëllimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë për qytetarët dhe ky investim do të sjellë përfitime afatgjata edhe në zhvillimin ekonomik dhe turistik të komunës sonë”, u shpreh Kryetari Rahimaj.
Në emër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Krenare Salihu, këshilltare në këtë ministri, falënderoi pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e këtij procesi konsultues për të kuptuar shqetësimet dhe nevojat e banorëve të zonës.
“Ky takim është i një rëndësie tejet të madhe dhe shpresojmë që do t’ia arrijmë qëllimit që kemi. Diga e Desivojcës është njëra nga pesë digat multifunksionale për të cilat ministria është duke punuar me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Kemi shumë punë përpara derisa ta shohim Digën këtu dhe të bëjmë foto bashkë”, është shprehur ajo.
Duke folur për rëndësinë e konsultimit publik, Vigan Syla, Udhëheqës i Ekipit për Menaxhimin e Projektit FLOWS, theksoi se ky proces nuk ka për qëllim vetëm prezantimin e të dhënave teknike por edhe krijimin e një dialogu të hapur me komunitetin dhe palët e interesuara.
“Qëllimi i këtij konsultimi është të dëgjojmë mendimet, pyetjet, shqetësimet dhe rekomandimet tuaja për zhvillimin e projektit. Pjesëmarrja juaj është shumë e rëndësishme sepse njohuritë që keni për zonën ndihmojnë ekipin e projektit dhe konsulentët që të identifikojnë dhe trajtojnë çështjet me rëndësi për komunitetin”, tha Syla.
Ai bëri të ditur se Projekti FLOWS i financuar nga Banka Botërore, synon përmirësimin e menaxhimit të burimeve ujore, rritjen e sigurisë së furnizimit me ujë dhe forcimin e qëndrueshmërisë ndaj sfidave si thatësirat, përmbytjet dhe ndryshimet klimatike.
Në vijim Syla sqaroi se projekti ndodhet ende në fazën e përgatitjes dhe se disa elemente teknike, mjedisore dhe sociale janë duke u analizuar nga ekspertët.
“Projekti do të zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe me kërkesat e Kornizës Mjedisore dhe Sociale të Bankës Botërore. Të gjitha komentet, pyetjet dhe shqetësimet e paraqitura gjatë këtij procesi do të dokumentohen dhe do të merren parasysh në fazat e mëtejshme të përgatitjes së projektit”, u shpreh Vigan Syla.
Mumin Morina, inxhinier i hidroteknikës, prezantoi aspektet teknike të projektit dhe arsyet pse lokacioni i Desivojcës është vlerësuar si më i përshtatshmi për ndërtimin e digës.
Sipas tij projekti synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me ujë për qytetin e Kamenicës dhe zonat përreth deri në vitin 2050, ujitje për rreth 2,500 hektarë tokë bujqësore, mbrojtje nga përmbytjet në zonat përgjatë lumenjve të Desivojcës dhe Moravës së Binçës, si dhe përfitime për komunat Kamenicë, Ranillug dhe Gjilan.
Në takim foli edhe Shyqeri Dërmaku, përfaqësues i MMPH-së dhe këshilltar i angazhuar në këtë projekt që nga viti 2014. Ai shpjegoi rëndësinë strategjike të digave si struktura që rezervojnë dhe menaxhojnë ujin, duke e krahasuar digën me një “hambari të ujit”, që mundëson ruajtjen dhe menaxhimin e miliona metrave kub ujë për nevojat e qytetarëve, bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik.
Ai theksoi se projekti do të zbatohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare për sigurinë e digave, duke garantuar mbikëqyrje profesionale dhe zbatim të praktikave moderne që përdoren në vendet evropiane dhe më gjerë.
Gjatë konsultimit, banorët patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, komente dhe shqetësime lidhur me ndikimet mjedisore, sociale dhe zhvillimore të projektit. Organizatorët konfirmuan se të gjitha komentet e pranuara do të dokumentohen dhe do të merren parasysh në procesin e mëtejshëm.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt realizimit të Digës së re Multifunksionale në Desivojcë, një investim strategjik që synon të rrisë sigurinë e furnizimit me ujë, të zhvillojë bujqësinë dhe të forcojë mbrojtjen nga përmbytjet për qytetarët e rajonit

