FC Drita vazhdon të shkruajë historinë e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare shkruan Radio Star.
Klubi nga Gjilani është skuadra kosovare me më së shumti ndeshje të zhvilluara në garat evropiane që nga pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA në vitin 2016, duke numëruar plot 46 takime ndërkombëtare dhe duke vazhduar ende rrugëtimin e saj në Evropë.
Më 3 maj 2016, Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në UEFA, duke i hapur rrugën klubeve kosovare të marrin pjesë në garat evropiane. Që nga sezoni 2017/18, klubet e Kosovës kanë garuar në UEFA Champions League, UEFA Europa League dhe më vonë në UEFA Conference League, duke fituar përvojë dhe duke ngritur vazhdimisht nivelin e futbollit vendor.
Në këtë periudhë, Drita është shndërruar në emrin më të qëndrueshëm të futbollit kosovar në Evropë. Me 46 ndeshje të zhvilluara deri më tani, bardhekaltërit mbajnë vendin e parë në listën e klubeve kosovare me më së shumti paraqitje ndërkombëtare.
Renditja e klubeve kosovare sipas numrit të ndeshjeve evropiane:
• Drita – 46 ndeshje (vazhdon)
• Ballkani – 41 ndeshje
• Prishtina – 21 ndeshje
• Llapi – 8 ndeshje
• Malisheva – 7 ndeshje
• Feronikeli – 6 ndeshje
• Dukagjini – 6 ndeshje
• Gjilani – 6 ndeshje
• Trepça ’89 – 2 ndeshje
Përveç numrit rekord të paraqitjeve, Drita ka qenë ndër ambasadorët më të denjë të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare, duke siguruar kualifikime historike dhe duke kontribuar në ngritjen e koeficientit të Kosovës në UEFA.
Me aventurën evropiane që vazhdon edhe këtë sezon, skuadra gjilanase ka mundësinë ta thellojë edhe më shumë epërsinë ndaj ndjekësve dhe të forcojë statusin e saj si klubi më i suksesshëm dhe më i pranishëm i Kosovës në garat evropiane që nga hapja e dyerve të futbollit kosovar në kontinent.

