Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se komuna ka shënuar rezultatin më të lartë ndonjëherë në transparencën buxhetore, sipas raportit më të fundit të Institutit GAP.
Sipas tij, Gjilani është vlerësuar me 97 pikë, duke regjistruar kështu rekordin më të mirë që nga fillimi i matjes së transparencës buxhetore.
Hyseni theksoi se ky rezultat është dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm të komunës për qeverisje të hapur, transparencë të plotë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.
“Synimi ynë ka qenë gjithmonë i qartë: transparencë e plotë dhe përgjegjësi para qytetarëve tanë. Sot, Gjilani qëndron krenar në mesin e komunave elitë në Kosovë për qeverisje të hapur”, ka deklaruar ai.
Kryetari Hyseni shtoi se Komuna e Gjilanit do të vazhdojë të punojë me të njëjtin përkushtim për të garantuar transparencë, përgjegjësi dhe realizimin e projekteve në interes të qytetarëve./Radio Star/

