NJOFTIM PËR PUBLIKUN
Fillojnë kontrollet intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), bazuar në gjetjet e përcjella nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), njofton se përdorimi i qumështit pluhur dhe vajit të palmës pa u deklaruar në etiketë, ose përdorimi i tyre në sasi që tejkalojnë sasinë e deklaruar, përbën mospërputhje me kërkesat ligjore për informimin dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Duke filluar nga nesër 6 gushti 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkërendim me AUV-në, do të fillojë kontrolle intensive në të gjitha hallkat e zinxhirit të tregtimit, duke përfshirë prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.
Kontrollet do të përqendrohen në:
– përputhshmërinë e përmbajtjes reale të produktit me përbërjen e deklaruar në etiketë;
– deklarimin e qumështit pluhur, vajit të palmës dhe përbërësve të tjerë;
– saktësinë e emërtimit dhe prezantimit të produkteve;
– dokumentacionin e lëndëve të para dhe gjurmueshmërinë e produkteve; – produktet që posedohen për qëllime tregtimi ose ofrohen për shitje.
Produktet për të cilat, pas verifikimit zyrtar dhe rezultatit të analizave përkatëse, konstatohet se etiketa nuk pasqyron përmbajtjen reale të produkteve, do të tërhiqen nga tregu në përputhje me procedurat ligjore. Ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të ndërmerren masa administrative dhe ndëshkuese, përfshirë shqiptimin e gjobave dhe masat e tjera të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Të gjithë operatorët ekonomikë obligohen të sigurojnë që produktet të cilat i prodhojnë, importojnë, distribuojnë ose i ofrojnë për shitje të kenë përbërje, emërtim dhe etiketim të saktë, të qartë dhe të verifikueshëm.
Deklarimi i pasaktë ose mashtrues i përbërjes cenon të drejtën e konsumatorit për informim dhe do të trajtohet dhe sanksionohet në përputhje me ligjin.
MINTI, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbeten të përkushtuara për mbrojtjen e konsumatorit, garantimin e konkurrencës së drejtë dhe ruajtjen e shëndetit publik në Republikën e Kosovës.

