Një qytetar nga Vitia ka dhënë shembull të ndershmërisë duke dorëzuar në Stacionin Policor në Viti një portofol të gjetur, brenda të cilit ndodheshin dokumente personale, karta bankare dhe një shumë parash të gatshme.
Sipas njoftimit të Policisë, qytetari B. Haziri është paraqitur në stacionin policor dhe ka dorëzuar portofolin që kishte gjetur.
Pas pranimit të portofolit, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme operative. Pas verifikimit të dokumentacionit dhe procedurave të rregullta ligjore, është arritur të identifikohet dhe të kontaktohet pronari legjitim, të cilit i janë kthyer të gjitha sendet e humbura, përfshirë dokumentet, kartat bankare dhe paratë.
“Ky rast dëshmon se bashkëpunimi i ngushtë dhe besimi i ndërsjellë ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Kosovës është shtylla kryesore e sigurisë dhe mirëqenies në komunitet”, thuhet në komunikatën e Policisë.

