Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe situatën brenda Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar atë si kontraverse.
Haziri ka komentuar deklaratat e fundit të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti duke theksuar se ato, sipas tij, kanë qenë kontradiktore.
“Se sa është kontroverse situata brenda VV-së pasqyrohet nga deklaratat e kryetarit të saj. Deri dje tha se ‘po lypin shumë e nuk ju jap’, ndërsa sot tha se ‘po ju ofroj shumë e janë tërheq’”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka folur edhe për vendimin e LDK-së për t’u tërhequr nga procesi i bashkëpunimit, duke thënë se partia e tij e mban ende qëndrimin për një president konsensual.
“LDK ka dal dje nga procesi i bashkëpunimit si ofertë drejt shkaktimit të proceseve politike. Ne e mbajmë fjalën për President konsensual, por konstituimi i Kuvendit është hapi kryesor për me pasë President dhe Qeveri”, ka thënë ai.
Haziri ka paralajmëruar se, sipas tij, ata që po e kundërshtojnë largimin e LDK-së nga bashkëpunimi do të përballen me pasojat politike.
“Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK-së i largohet nga bashkëpunimi. Kthehu prapa dhe e gjeni vetën shpejtë”, është shprehur nënkryetari i LDK-së.
Ai ka theksuar se LDK-ja ka kaluar edhe më herët nëpër procese të vështira politike.
“Ne e kemi paguar çmimin tonë. Kemi përballu procese edhe më të rënda se kjo”, ka deklaruar Haziri.
Në fund, ai ka përsëritur qëndrimin e tij për rolin e LDK-së në politikën e Kosovës, duke thënë: “LDK ka qenë dhe mbetet besë e shpresë për këtë Republikë!”.

