Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i është përgjigjur ftesës së ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takimin e së martës.
Letra e kreut të Aleancës ndaj u.d. presidentes vjen pasi Haxhiu u ka dërguar ftesa për takime krerëve të partive opozitare, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e situatës së krijuar institucionale.
Sipas publikimeve ne faqen zyrtare të Aleancës, Gjini shprehet se Haxhiu nuk mund të luajë rolin e unifikueses së spektrit politik, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po kërkojnë takim për të gjetur fajtorë për një vendim që, sipas tij, tashmë është marrë për ta dërguar vendin në zgjedhje.
“Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional. Qëllimi juaj ëshë më shumë se kaq. Ju doni ta zvarrisnj këtë bllokadë deri te data që ju konvenon që të mbahen zgjedhjet. Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi. Po t’i donit vërtet votat dhe kuorumin, i keni gjashtë pikat e Aleancës”, shkroi Gjini.

