Banorët e Lagjes Iliria në Gjilan kanë reaguar ndaj gjendjes së krijuar pas kalimit të kamionëve të kompanisë EcoHigjiena, duke ngritur shqetësime për rrjedhjet e mbeturinave në rrugë dhe erën e rëndë që mbetet pas tyre.
Sipas banorëve, kjo situatë po përsëritet vazhdimisht dhe po krijon shqetësim për pastërtinë dhe higjienën në lagje. Ata thonë se pas kalimit të kamionëve në rrugë mbeten gjurmë dhe rrjedhje nga mbeturinat, ndërsa kundërmimi i rëndë përhapet në ambientin përreth.
Banorët kërkojnë nga EcoHigjiena që të ndërmarrë masa të menjëhershme, të kontrollojë gjendjen teknike të kamionëve dhe të sigurojë që transporti i mbeturinave të kryhet pa ndotur rrugët.
Po ashtu, ata i bëjnë thirrje Drejtorisë për Shërbime Publike të Komunës së Gjilanit që të inspektojë rastin dhe të kërkojë përgjegjësi për çdo shkelje të standardeve të shërbimit.
Banorët theksojnë se rrugët e lagjes nuk mund të mbeten të ndotura pas çdo kalimi të kamionëve dhe kërkojnë zgjidhje konkrete, jo vetëm reagime.
Lagjja kërkon shërbim të pastër, profesional dhe në përputhje me standardet e higjienës./Radio Star/

