Një tjetër histori suksesi vjen nga të rinjtë e Kosovës. Lirik Qerimi, i riu nga Gjilani, është licencuar zyrtarisht si pilot komercial për Boeing 737, pas disa vitesh studimi, trajnimesh intensive dhe fluturimesh testuese.
Qerimi ka përfunduar me sukses studimet në Global Aviation School në Athinë, duke realizuar ëndrrën për të drejtuar një nga avionët më të njohur të aviacionit komercial. Licencimi i tij tashmë i hap rrugën drejt një karriere në aviacionin ndërkombëtar.
Por ky nuk është suksesi i tij i parë. Vetëm një vit më parë, Liriku përfaqësoi Kosovën në Olimpiadën “Genius” në New York, ku arriti të fitojë vendin e dytë dhe Medaljen e Argjendtë.
Nga podiumi i një olimpiade ndërkombëtare në New York, deri në kabinën e një Boeing 737, Lirik Qerimi po e ngre gjithnjë e më lart ëndrrën e tij, duke dëshmuar se përkushtimi, puna dhe këmbëngulja mund t’i hapin rrugë suksesit edhe në arenën ndërkombëtare.

