Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
PDK kërkon që seanca të vazhdojë të martën, më 18 gusht, në orën 11:00.
Në kërkesën e saj, PDK i ka rikujtuar Deharit se roli i tij si kryesues i seancës është, sipas partisë, procedural dhe i përkohshëm, me qëllim të mundësimit të zhvillimit të seancës dhe konstituimit të Kuvendit.
“Z. Dehari, thirreni seancën. Deputetët janë zgjedhur për të qenë në Kuvend, jo për të pritur vullnetin politik të askujt”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia ka njoftuar se deputetët e saj do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit nesër në orën 11:00.

