Drejtoria e Inspeksionit ka bërë rrënimin e një objekti të vendosur pa leje në pronë komunale nga T.S., në lagjen “Arbëria”.
Fillimisht, personit në fjalë i është dhënë afat që në mënyrë vullnetare të bëjë largimin e shtallës/objektit nga prona komunale, e cila ishte uzurpuar për mbi 20 vite pa leje përkatëse nga Komuna e Gjilanit.
Meqenëse objekti nuk ishte larguar brenda afatit të përcaktuar, Drejtoria e Inspeksionit fillimisht ka shqiptuar gjobë për shfrytëzimin e hapësirës publike pa leje nga organi kompetent. Edhe pas shqiptimit të gjobës, objekti nuk është larguar në mënyrë vullnetare.
Andaj, në bazë të vendimit për lirimin e pronës komunale dhe rrënimin e objektit të ndërtuar pa autorizim, Drejtoria e Inspeksionit ka realizuar rrënimin e objektit dhe pastrimin e pronës komunale.
Drejtoria e Inspeksionit po ua rikthen qytetarëve të Gjilanit hapësirat komunale të uzurpuara dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë normativat ligjore për shfrytëzimin e hapësirave komunale, në mënyrë që ato të mbeten të lira, të qasshme dhe të sigurta për të gjithë.

