Në kuadër të debateve me përfaqësues të portaleve dhe në përgjithësi medieve të shkruara, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) organizoi takimin e radhës në Gjilan për të diskutuar me gazetarët e kësaj ane çështjen e etikës në gazetari si dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me mediat.
Imer Mushkolaj, Nehat islami dhe Musa Sabedini pjesë të bordit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) thanë se po i organizojnë këto takime për të bashkëbiseduar për sfidat që kanë portalet dhe në përgjithësi mediat online në raaport me etikën dhe profesionalizmin. Në këtë takim u tha se respektimi i kodeve të etikës është ilaçi më i mirë për ta sfiduar gazetarinë joprofesionale.
Nehat Islami nga KMSHK tha se edhe mediet online kanë telashet e veta dhe ballafaqohen me probleme të natyrave të ndryshme.”Lajmet e rreme janë sëmundja më e rëndë e shoqërive të civilizuara. Andaj etika e gazetarisë është ilaçi më i mirë për ta sfiduar gazetarinë joprofesionale”, ka thënë Islami, për të shtuar se KMSHK-ja që tubon gazetarët e medieve të shkruara synon që përmes këtyre forumeve të ndikojmë pozitivisht tek portalet.
Musa Sabedini nga bordi i KMSHK dhe themelues i Rajonipress tha se që të respektohet etika dhe kodet e saja gazetarët duhet të jenë të edukuar dhe të arsimuar. “Etika është ombrellë mbi kokat tona e cila na vëzhgon çdo ditë dhe na mëson si të sillemi në raport me të gjitha finesat që bartë gazetaria e mirë dhe ajo profesionale. Mediet online janë përgjegjëse për kursin që ato mbajnë në raport me lajmet e transmetuara të prodhuara nga vet portalet, por edhe ato që merren si të huazuara” ka thënë Sabedini.
Sabedini ka thënë se edukimi dhe vetëdijesimi i themeluesve të portaleve së pari dhe pastaj edhe i gazetarëve dhe i redaktorëve e ndihmon shumë etikën dhe na ndihmon shumë që të bëjmë gazetari të saktë dhe të verifikueshme.
Kurse, Imer Mushkolaj kryetar i KMSHK tha se me zhvillimin e teknologjisë tnai mediat online janë të shpejta, që është një përparësi por në vete kjo sjellë edhe defektet e saja, tash nuk ka komoditet krahasuar me mediat e shkruara.
Sipas tij, ka portale të shumta pa adresë që nuk janë orfesionale dhe me këtë edhe kanë shkrime pa respektuar etikën gazetareske. Ka të tilla, thotë ai që merren me etiketimin e njerëzve dhe e shkelin etikën duke i kontribuuar kështu një gazetarie të keqe. “Ne duhet ta edukojmë publikun, por edhe mediet duhet të profesionalizohen. Gazetaria online po zhvillohet hovshëm dhe nga ky zhvillim janë përfitues edhe lexuesit edhe gazetaria e mirë dhe e shpejt, por jo gjithmonë portalet mund të jenë të sakta dhe të balancuara”, tha Mushkolaj.
Muhamet Halili themelues i Portalit 2LONLINE, tha se lexuesi ynë duhet të vetëdijesohet dhe të edukohet në atë se se çfarë po konsumon në këtë treg mediatik. Ai nuk duhet të pranoj apo lexojë portale që nuk kanë adresë që me informacionet e tyre nuk i kontribuojnë interesit të publikut dhe portale që punojnë copy paste, pa i verifikuar informacionet, përkatësisht burimet e informacionit. “Lexuesi sot e ka mundësinë e zgjedhjes dhe selektimit të lajmeve, duke ikur nga portalet që çdo ditë merren me sensacione dhe lajme të rreme”.
Halili tha se KMSHK-ja është mirë të ruajë këtë traditë të takimeve dhe në të ardhmen edhe të botojnë udhëzues që lidhen me rregullimin profesional dhe etik të portaleve.
Përndryshe, në debat ka folur edhe Tefik Selimi i cili ka rrëfyer mbi përvojën e tij në gazetari të shkruar dhe qasjen që tani kanë mediat online.