Pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të 18-vjeçarit gjilanas, Shpejtim Syla, i cili humbi jetën në mënyrë tragjike në Shëngjin, ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. Ai ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Syla, duke e cilësuar humbjen e të riut si një goditje të rëndë për gjithë qytetin.
“Me dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të bashkëqytetarit tonë, Shpejtim Syla.
Humbja e një djaloshi 18-vjeçar, i cili sapo kishte përfunduar shkollimin e mesëm në drejtimin e Pikturës, është një goditje e rëndë jo vetëm për familjen, por për të gjithë qytetin tonë.
Gjilani sot është në zi për një talent dhe një shpirt të ri që u shua kaq herët.
Në emër timin personal, të Komunës së Gjilanit dhe të gjithë qytetarëve, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Syla, miqve, profesorëve të shkollës “Adem Kastrati” dhe të gjithë atyre që e njohën Shpejtimin.
Lutemi që të gjeni forcën për të përballuar këtë dhimbje të madhe!”

