Fshati Zhegër ka pranuar një donacion të rëndësishëm nga bashkatdhetari i saj, Rexhep Aliu, i cili ka dhuruar një pajisje të dedikuar për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Donacioni është mirëpritur nga Këshilli i Fshatit Zhegër, drejtori i NPL “Tregu”, Bajram Isufi, këshilltari komunal Muhadin Haziri, si dhe banorët e fshatit, të cilët kanë shprehur mirënjohje për këtë kontribut.
Sipas Këshillit të Fshatit, pajisja do të shërbejë në mirëmbajtjen e hapësirave dhe rrugëve të Zhegërs, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për banorët.
Në emër të Këshillit të Fshatit dhe qytetarëve të Zhegërs, kryetari Qahil Halili ka falënderuar Aliun për kontributin, duke e cilësuar donacionin si dëshmi të përkushtimit dhe lidhjes së vazhdueshme të bashkatdhetarëve me vendlindjen.
“Kontributi juaj vlerësohet shumë dhe është shembull i dashurisë dhe kujdesit për vendlindjen”, thuhet në mesazhin e falënderimit.
Këshilli i Fshatit Zhegër ka theksuar se kontributet e tilla nga bashkatdhetarët janë të rëndësishme për komunitetin dhe paraqesin një shembull pozitiv të mbështetjes së vazhdueshme për vendlindjen./Radio Star/

